Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën

Petkoviq për tensionet në veri: Fajtor është Albin Kurti

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e ka hedhur fajin drejt kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për tensionin në komunat veriore të Kosovës.

Petkoviç tha gjithashtu se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për paqe, stabilitet dhe dialog, si mekanizmi i vetëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.

“Mesazhi i vetëm i dërguar sot (31 korrik) nga Rashka dhe Beogradi është mesazhi i paqes dhe nevoja për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin urgjent të Asociacionit të Komunave Serbe”, tha Petkoviq.

Petkoviq tha se dërgimi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në veri është nxitje e situatës.

Kryeministri Albin Kurti para pak orësh përmes një video-adresimi ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviq janë përgjegjësi kryesor për trazirat në veri.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat”, ka deklaruar Kurti në këtë video adresim.

Ai i bëri këto deklarata pasi serbët lokal bllokuan rrugët kryesore që dërgojnë në pikat kufitare në veri, Jarinjë dhe Bërnjak.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve – për shkak të bllokadave të vendosura dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri