Polica po kontrollon çdo veturë që po shkon në drejtim të Leposaviqit | Foto: KALLXO.com

LIVE - Zhvillimet e fundit në veri

23:52 – Shtyhet implementimi i reciprocitetit deri më 1 shtator

Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Qeveria ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, “në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin”.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas takimit që kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani mbajtën me ambasadorin amerikan në Kosovë.

23:28 – Ambasadori amerikan: Kërkojmë nga Qeveria që ta shtyjë vendimin për 30 ditë 

Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se kërkojnë që ta shtyejnë për 30 ditë që vendimi për reciprocitetin në letërnjoftime dhe targa të hyjë në fuqi.

Hovenier ka thënë se ShBA i mbështet vendimet për reciprocitetin.

“Vendimet për reciprocitetin për letërnjoftimet dhe targat janë në përputhje me dialogun dhe SHBA i mbështet vendimet. I kam kërkuar qeverisë Kurti që ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi për 30 ditë. Nuk e mbështesim vendosjen e barrikadave, duhet të gjendet rruga e dialogut mes palëve. Jemi duke pritur përgjigjur nga Qeveria”, ka thënë Hovenier në një konferencë për media pas takimit që pati në Presidencë ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministrja Donika Gërvalla, zëvendëskryeministri Bislim Bisimi.

“SHBA nuk ka pasur shqetësim për vendimin. Ne kemi pasur takim me kryeministrin, ministren e Jashtme, presidenten. Unë kërkova që zbatimi i vendimit të shtyhet për 30 ditë. Mendoj se është e nevojshme të shtyhet se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime në lidhje me vendimin. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit por shtyrjen e zbatimit, të jem i qartë”, shtoi ambasadori.

23:21 – KFOR: Jemi të përgatitur për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

KFOR-it situatën e përgjithshme të sigurisë në komunat veriore të Kosovës e ka cilësuar të tensionuar.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999”, ka theksuar KFOR përmes një komunikate.

23:18 – Reagon presidentja Osmani: Përpjekjet e Vuçiqit me metodat e Putinit, do të dështojnë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas situatës në veri, ku ka kërkuar nga qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e propagandës nga Beogradi.

Osmani ka shtuar se masat e reciprocitetit, nuk janë drejtuar nga askujt.

“Masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër askujt, por në favor të qytetarëve pa dallim përkatësie”, ka shkruar Presidentja.

Osmani ka thënë se përpjekjet e Vuqiçit për destabilizim të Kosovës, i cili po shërbehet me metoda të mentorit të tij- Putinit, do të dështojnë.

“Përpjekjet e Vuqiçit për destabilizim të Kosovës, i cili po shërbehet me metoda të mentorit të tij- Putinit, do të dështojnë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

23:10 – Ambasadori amerikan shkon në presidencë, po mban takim me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin

KALLXO.com ka marrë vesh nga burimet në Qeveri dhe Presidencë se momentalisht po zhvillohet një takim në presidencë ku po marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministrja Donika Gërvalla, zëvendëskryeministri Bislim Bisimi bashkë me ambasadorin e ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ky takim vjen pas tensionimit të situatës në veri të vendit.

22:52 – Polica po kontrollon çdo veturë që po shkon në drejtim të Leposaviqit

Njësi të Policisë së Kosovës që janë të vendosur në hyrje të qytetit të Leposaviqit janë duke kontrolluar çdo veturë e cila është duke shkuar në drejtim të Leposaviqit.

Njësiti i Policisë së Kosovës që është i vendosur tek vendi që njihet si “Ura e Re”, në qytetin e Mitrovicës së Veriut, po kontrollon secilën veturë që po hyn në drejtim të Leposaviqit.

Polica po kontrollon çdo veturë që po shkon në drejtim të Leposaviqit – FOTO: KALLXO.com

22:34 – Pjesëtari i Policisë së Kosovës duke qëndruar në afërsi të kampit “Belvedere” në Mitrovicë të Jugut | Foto: KALLXO.com

Pjesëtari i Policisë së Kosovës duke qëndruar në afërsi të kampit “Belvedere” në Mitrovicë të Jugut | Foto: KALLXO.com

22:20 – Abdixhiku: Mbështesim angazhimin e institucioneve për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka deklaruar se mbështesin angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës.

Sipas tij, reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran.

“Dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit. Mbështetja për ta është domosdoshmëri. Koordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë në parandalimin e çfardo provokimi nga Serbia brenda territorit të Kosovës është esencial. Në këto momente, Kosovës i duhet stabilitet, ligjshmëri dhe siguri”

22:15 – Memli Krasniqi: Qeveria duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajon institucionet e sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit.

Sipas Krasniqit, Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë.

“Ftoj qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit tonë. Të gjithë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për qytetarët, duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë”, ka shkruar lideri i PDK-së, Memli Krasniqi në rrjetin social Facebook.

22:01 – Lëshohet alarmi përsëri në veri të vendit

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në veri të vendit po raporton se para pak çastesh është lëshuar përsëri alarmi në komunat veriore.

Alarmi është dëgjuar edhe në jug të vendit.

21:35 – Autoblindat e Njësisë Speciale të Kosovës vendoset në kampin e Policisë ‘Belvedere’ në Mitrovicën e Jugut

Ekipi Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës ka filluar të mblidhet në kampin ‘Blevedere’ në lagjen Bair të Mitrovicës së Jugut.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugët në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinje, Bërnjakë dhe Rudarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

21:09 – Policia: Ka pasur gjuajtje me armë në drejtim të njësiteve policore në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot pasdite ka pasur gjuajtje me armë në drejtim të pjesëtarëve të saj në pjesën veriore të vendit.

Sipas Policisë, nuk ka ndonjë polic të plagosur.

Policia njofton se janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.

20:54Kurti: Do të veprojmë në mbrojtje të qytetarëve dhe sovranitetit të vendit

Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një video-adresim ku flet për situatën në veri, ku tashmë janë bllokuar disa rrugë nga qytetarët serbë të atyre zonave.

Kryeministri Kurti përgjegjës për “trazirat” e la presidentin serb Aleksander Vuçiq dhe zyrtarin Petar Petkoviqin.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat”, ka shkruar Kurti ku ka bashkangjitur edhe video adresimin.

20:48 – Policia: Nuk ka polic e as qytetar të plagosur

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka demantuar lajmet e publikuara në disa media online se ka një zyrtar policor është plagosur në veri.

Policia ka njoftuar se ka asnjë informacion për plagosjen e ndonjë zyrtari policor apo qytetari.

“Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për ndonjë plagosje të qytetarëve apo të ndonjë zyrtari policorë, andaj ftojmë dhe iu bëjmë thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve që të mos bien pre e informacioneve-lajme të rreme, të cilat kanë tendencë destabilizimin e situatës dhe krijimin e panikut”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar në një përgjigje për KALLXO.com edhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.

20:27 – Serbët lokalë bllokojnë me kamionë me zallë rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak

Banorët serbë të veriut të Kosovës kanë bllokuar sërish sot rrugët që çojnë për në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Burime të KALLXO.com thonë se serbët lokalë po përdorin në këtë aksion veprimet e njëjta me ato të shtatorit të vitit të kaluar, kur rrugët ishin bllokuar me kamionë, shumica e të cilëve të ngarkuar me rërë.

Situatë e njëjtë është edhe sot, kur banorët lokalë kanë mbyllur rrugët me kamionë të mbushur me rërë, si dhe me vetura dhe automjete të tjera.

19:24 – Policia e Kosovës mbyll pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

“Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtar dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve  në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak”, thuhet në njoftim.

Polica ka kërkuar nga qytetarët të shfrytëzojnë pikat E tjera kufitare për qarkullim.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës.

Qytetarët që po udhëtojnë në këtë pjesë po përdorin rrugë alternative pas bllokadave të vendosura.

19:14 –  Dëgjohen sirenat në Mitrovicën e Veriut

Sirenat e alarmit janë dëgjuar sot pasdite në Mitrovicë të Veriut që rëndom lëshohen kur ka ndonjë organizim.

Raportohet se në veri janë bllokuar rrugët.

Për shkak të zhvillimeve të sotme, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Veprimet e serbëve të veriut të vendit vijnë një ditë para fillimit të zbatimit të dy vendimeve të Qeverisë: ndalimin e targave ilegale dhe reciprocitetin për dokumentet e identifikimit të Serbisë.

18:57 – Bllokohen rrugët në Zveçan dhe Zubin Potok

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Besim Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është vendosur një bllokadë edhe në Rudarë të Zveçanit, përkatësisht në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica.

Hoti po ashtu tha se bllokadë është vendosur edhe në fshatin Zupqë, që gjendet në afërsi të magjistrales Bërnjak-Mitrovicë.

Ndërkaq, sipas informatave nga terreni, pasagjerët në Jarinjë po këshillohen që të kthehen në drejtim të Serbisë si dhe në rrugët magjistrale në veri të Kosovës po shihen njerëz me maska.

Qytetarët që po udhëtojnë në këtë pjesë, po përdorin rrugë alternative pas bllokadave të vendosura.

Ndërkaq, sirena janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut, që rëndom lëshohen kur ka ndonjë organizim. Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në këtë komunë janë dëgjuar sirena, por ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë më pas.