Foto e publikuar nga Manastiri i Deçanit në Twitter.

Peshkopi Teodosije viziton manastirin e Banjskës, tregon për veprimet e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it

Peshkopi Teodosije sot pasdite ka vizituar manastirin e Banjskës, ku igumeni Danilo e ka njoftuar për ngjarjet që kanë ndodhur në dhe rreth manastirit dje dhe sot.

“Gjatë ditës, EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë arritur në manastir për të kryer një hetim. Brenda ndërtesave të banimit dhe kishës së manastirit, të cilat janë brenda mureve të manastirit dhe kanë qenë të mbyllura gjatë ngjarjeve, as EULEX-i dhe as Policia nuk gjetën ndonjë gjë që mund të rrezikonte manastirin apo vëllazërinë e tij monastike. Megjithatë, në dy zona të oborrit të manastirit u zbuluan armë zjarri, jelekë antiplumbë dhe pajisje. Këto sende u hodhën nga personat e armatosur gjatë tërheqjes së djeshme nga manastiri”-thuhet në komunikatën për media.

Sipas këtij njoftimi, e rëndësishme është se në manastir nuk u gjetën gjurmë gjaku dhe gjatë gjithë ngjarjeve nuk pati viktima brenda mureve të manastirit.

Tutje është thënë se ekipet e Forenzikës morën gjurmët dhe intervistuan pelegrinët, të cilët më pas, të shoqëruar nga Policia dhe EULEX-i, kaluan pikën kufitare të Jarinjës për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

Sipas njoftimit, gjatë bastisjes, abati Danilo ia tregoi EULEX-it dhe Policisë të gjitha dhomat e rezidencës, duke treguar se as murgjit dhe as pelegrinët nuk kanë pasur ndonjë përfshirje në ngjarjet tragjike.

“Jeta monastike në manastir po kthehet gradualisht në normalitet.Dioqeza e publikon këtë deklaratë kryesisht për të kundërshtuar spekulimet e ndryshme dhe lajmet arbitrare që qarkullojnë në media. Ipeshkvi, në emër të Dioqezës, shprehu ngushëllimet për familjet e të gjithë atyre që humbën jetën në konfliktin e armatosur të djeshëm”-thuhet në njoftim.

Në vijim është thënë se Peshkopi Teodosije vazhdon të bëjë thirrje për qetësi dhe paqe, duke mbajtur kontakte me KFOR-in, EULEX-in dhe ambasadorët e Kuintit, për të mbrojtur vendet e shenjta dhe besimtarët.

“Kisha jonë mbetet e përkushtuar fuqishëm që të gjitha çështjet në Kosovë  t’i trajtojë në mënyrë paqësore dhe përmes dialogut, duke dënuar të gjitha format e kërcënimeve dhe dhunës”-thuhet në përmbyllje të njoftimit.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Ndërkaq, sot është mbajtur mbledhje komemorative për rreshterin Afrim Bunjaku, që u vra në orët e para të mëngjesit të së dielës në Banjskë të Zveçanit.

Përfaqësues të institucioneve, diplomatikë e qindra qytetarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të policit Afrim Bunjaku, i cili dje u vra në krye të detyrës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur Afrim Bunjakun “Hero i Kosovës”.