Foto: Ministria e Punëve të Jashtme

Ministrja Gërvalla takohet me homologun austriak, e informon në detaje për Banjskën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është pritur të mërkurën, më 21.02.2024, në takim nga homologu i saj austriak, Alexander Schallenberg.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se Gërvalla në këtë takim e ka informuar në detaje Schallenbergun rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë, si sulmi në Banjskë, sulmi ndaj KFOR-it dhe veprime tjera që, sipas saj, rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa thuhet se Gërvalla dhe ministri për Europë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare i Austrisë, Alexander Schallenberg, diskutuan rreth thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Gërvalla e njoftoi homologun austriak rreth proceseve të brendshme politike në vend, duke prezantuar progresin e arritur në demokratizim, sundim të ligjit, rritje ekonomike, respektim të të drejtave të njeriut, liri të mediave dhe infrastrukturë moderne për investime ndërkombëtare. Ministrja Gërvalla dhe Ministri Schallenberg biseduan edhe për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, ndërkohë që Ministrja Gërvalla e falënderoi atë për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”- thuhet në njoftim.

Ky takim është zhvilluar në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon ministrja Gërvalla në Austri.