Klinika e Kardiologjisë. Foto:KALLXO.com

Përurohet transformimi 1.5 milionësh i Klinikës së Kardiologjisë

Është përuruar transformimi i Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Në ceremoninë e organizuar morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz.

Ky investim, ka vlerë prej 1.5 milion euro në një hapësirë rreth 400 metra në katrorë, tha Kurti.

Pas vizitës që i bën së bashku Klinikës, kryeministri Albin Kurti, e cilësoi këtë projekt si një hap jetik për rritjen e cilësisë së shërbimeve mjekësore.

Ai theksoi se funksionalizimi i teknologjisë së re do të shkurtojë kohën e pritjes dhe do të rrisë numrin e operacioneve.

“Një hapësirë prej rreth 400 metrash katrorë është transformuar sipas standardeve moderne spitalore, duke krijuar kushte më të mira për mjekët, specialistët, infermierët dhe mbi të gjitha kushte më dinjitoze për shërim të plotë e më të shpejtë për pacientët tanë” – tha Kurti gjatë ceremonisë.

Ai tha se funksionalizimi i Cath Lab-it bashkëkohor dhe vendosja e angiografit të ri përbëjnë një hap të madh përpara në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

“Nga mbi 4,000 ndërhyrje në vit siç ka qenë deri më tani, synimet janë që të arrihet kapaciteti deri në 8,000 ndërhyrje në vit” – tha Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se ky është vetëm fillimi i një procesi më të gjatë të renovimeve që do të përfshijnë edhe njësinë gjysmë-intensive dhe hapësirat për pacientët kronikë.

“Para disa muajsh kur ka filluar renovimi i kësaj pjese që e pamë, tani ka mbaruar. Kemi filluar me renovimin e njësisë gjysmë-intensive, e cila po ashtu do të mbarojë gjatë këtij viti, për të vazhduar pastaj edhe me katin e dytë ku gjenden pacientët kronikë të kardiologjisë dhe në këtë mënyrë po japim vëmendjen e duhur një nga klinikave më të rëndësishme në sistemin tonë shëndetësor, Klinikës së Kardiologjisë, pasi që pjesa më e madhe e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së pacientëve në Kosovë, ashtu si edhe në botë, është nga sëmundjet kardiovaskulare” – tha Vitia.

Ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz, vuri në dukje ndikimin e menjëhershëm që ka pasur ky projekt që nga përfundimi i fazës së parë të punimeve në fund të vitit të kaluar.

“Është e rëndësishme që në përgjithësi të ofrohen shërbime cilësore shëndetësore këtu në Kosovë. Problemi ka qenë i njohur. Sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë 35% të vdekjeve në botë dhe në Kosovë situata është shumë e ngjashme. Dhe ne e dimë që në të kaluarën ka pasur lista të gjata pritjeje këtu për të marrë kujdesin e duhur shëndetësor”- tha ai.

Dietz tha se renovimi është përfunduar në muajin nëntor dhe që nga nëntori janë trajtuar tashmë një mijë pacientë.

“Pra sot, ky investim është vërtet rezultat i faktit që ne po shpëtojmë jetë këtu. Por nuk bëhet fjalë vetëm për pajisje, por edhe për sigurimin e trajnimit të duhur për mjekët” – deklaroi Dietz.