Ilustrim

Hulumtimi dokumenton se në Kosovë shiten barëra të rrezikshme

Rrjetet sociale janë duke u përdorur në Kosovë për të promovuar rrejshëm ilaçe dhe suplemente.

Brenda vitit 2024, verifikuesit e fakteve kanë zbuluar 94 lajme të rreme, të cilat promovonin në Internet produkte të palicencuara shëndetësore.

Materialet janë publikuar në Facebook, Instagram, TikTok e platforma të tjera dhe të njëjtat mashtrojnë publikun.
Një emision televiziv i realizuar nga KallxoPernime ka dokumentuar rrjetet e shitjes.

Të dhënat tregojnë se mashtruesit në Internet shesin shtesa ushqimore, me përshkrimin se ato shërojnë sëmundje e ndihmojnë në rritjen e imunitetit të qytetarëve.

Propaganda në Internet besohet se është njëra nga arsyet se përse në Kosovë importi i shtesave të ushqimit është dyfishuar – gjatë vitit 2024. Të dhënat e Doganës tregojnë se vlera e importit për shtesat ushqimore u rritën nga 68 milionë në 141 milionë, në vitin 2024.

Monitorimi i platformave, në rrjetet sociale, tregon se gjatë vitit janë publikuar mijëra materiale, të cilat synojnë të shesin produkte mjekësore, të cilat promovohen, si ‘shëruese të sëmundjeve kronike’ – siç është: diabeti, kanceri, lipomat, nyjet e sëmundjet e zemrës, e deri te trajtimi i obezitetit.

Skema përkrahet nga një rrjet i shitjes, i cili kryesisht është ilegal dhe nuk i nënshtrohet asnjë kontrolli.

Barërat dhe produktet e tjera shiten duke përdorur posta online dhe konsumatorët në shumicën e rasteve nuk janë fare në kontakt me personat, të cilët i importojnë e shesin produktet.

Për qytetarët të cilët në pjesën më të madhe janë viktima të mashtrimit, porosia është proces i thjeshtë. Ata duhet të telefonojnë e të paguajnë produktin final – në momentin kur postat private arrijnë në hapësirat e tyre.

Procesi i porositjes është i thjeshtë dhe mashtruesit e Internetit nuk i kanë problem t’i dërgojnë edhe në rastet kur porositë vijnë nga gazetarët.

Recetat e barërat e rreme, të cilat reklamohen se shërojnë diabetin apo ‘sëmundjen e sheqerit’ – siç njihet në popull, kryesojnë në listën e mashtrimeve në Internet.

Të paktën 95 fushata të cilat promovojnë ilaçe të tilla janë hasur nga verifikuesit e fakteve. Pacientët – viktima të cilët kanë rënë pre e këtyre mashtrimeve, tashmë, kanë nisur të trajtohen në spitalet e vendit për shkak se gjendja e tyre është përkeqësuar.

Bardhyl Gashi, mjek endokrinolog në QKUK, ka në trajtim pacientë, të cilët nga Interneti kanë rënë pre e reklamave, të cilat promovojnë rrejshëm ‘çajëra që shërojnë diabetin’.

“Ne gjithmonë i këshillojmë pacientët dhe i rekomandojmë ata që kurrë të mos blejnë barna pa përshkrimin tonë, pa përshkrimin e mjekëve, është e vërtet që në internet po shesin çdo suplement, ilaç, kështu që unë ju kisha thënë që kurrë mos t`i blejnë ato pa këshillën e mjekut, gjithçka ndodh në treg. Një pacient që ka qenë me një terapi perurale edhe rastësisht lexon në internet nëpërmjet shoqnisë edhe i merr disa barna, disa qajna prej jashtit edhe pacienti ka qenë mirë, pas një muaj dite thotë ‘m`u ka çrregullu sheqeri’, e pyta çka bane, thotë që ‘m`i dhanë do barna, do qajna online m`i ka ble një shok i jemi e si i pijta ato, u hallakat’. Ne ja ndërpremë atij ato qajna, vazhduam me terapinë këtu që e ka marrë dhe pacientit iu rregullu sheqeri”- ka thënë endokrinologu Bardhyl Gashi.

Sëmundja e diabetit është në mesin e sëmundjeve komplekse – trajtimi i së cilës duhet të kryhet vetëm në mbikqyrjen e mjekut e këshillave të tij. Barërat të cilat duhet të përdoren për këtë sëmundje, duhet të merren vetëm me recetën e mjekut. Ndërsa, edhe dieta ushqimore duhet të jetë e këshilluar nga mjekët. Kjo këshillë bie në vazhdimësi ndesh me propagandat e rreme, të cilat në Internet promovojnë shërimin e sëmundjes – pa këshillat e mjekëve.

“Diabeti është një sëmundje kronike e cila karakterizohet – në popull thonë, etje të shtuar, urinim të shpeshtë dhe oreks të shtuar, por kjo s’do të thotë që ky trias është për çdo të sëmurë me diabet sepse ka edhe ankesa të tjera. Për të diagnostikuarin diabetin ne i bëjmë matjet e glikemisë, matjen e sheqerit esëll (glikemisë), që duhet me qenë mbi 7.1, 2-3 herë radhazi edhe glikeminë e rastit, pra pas ushqimit që duhet me qenë mbi 11 me dy tri vlera. Nëse kemi dyshime në këto vlera, kemi edhe disa teste shtesë, atë të ngarkimit me glukozë, etj. Janë 4 lloje të diabetit, diabeti i tipit 2 është më i shpeshti që paraqitet mbi moshën 35 vjeçare edhe paraqitet shpesh në anëtarë të së njëjtës familje, manifestohet tek njerëzit me mbi peshë”- ka thënë Gashi.

Doktorët në QKUK kanë konstatuar se propaganda në Internet është duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve të vendit. Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2024, për shkak të propagandës në Internet, shitja dhe importi i shtesave ushqimore, të cilat promovohen rrejshëm si ilaçe është dyfishuar në Kosovë.

Produktet, të cilat në esencë përmbajnë vitamina e minerale, promovohen rrejshëm si shërues të sëmundjeve të ndryshme – përfshirë edhe kancerin.

Gjatë vitit janë konstatuar 95 informacione të rreme, të cilat pretendojnë se produktet e caktuara parandalojnë ose shërojnë kancerin.

Mjekët onkologë, në QKUK, kanë konstatuar dhjetëra raste, në të cilat pacientët janë mashtruar dhe kanë marrë produkte pa konsultimin e mjekut.

“Substancat që i përmendët, pacientët i marrin komë më vete, ose i marrin me rekomandime prej njerëzve që nuk janë kompetent as profesional. Ne si mjekë nuk i rekomandojmë. Ne mund t`i rekomandojmë terapi alternative, e cila gjatë trajtimit onkologjik mund të ketë efekte lehtësuese tek pacientët ose është e domosdoshme që t`i rekomandohet pacientit në mënyrë që efektet anësore të barnave mund të jenë më të lehta ose të menaxhohen më mirë, por gjithmonë me aprovim dhe rekomandim të mjekut i cili e përcjell gjendjen e atij pacienti dhe ai duhet t`i zbatoj këto rekomandime në mënyrë që sëmundja të kaloj më lehtë dhe efekti i barnave të jetë më i mirë. Këto recetat në internet nuk duhet marrë, sepse nëse nuk ka ndonjë dëm atëherë s’ka as një efekt ose mund të ketë efekt ne i themi ‘efekt psikologjik’, që nuk ka ndonjë impakt, por nëse këto receta, suplemente merren gjatë trajtimit onkologjik mund të kenë efekte të dëmshme në kuptimin e zvogëlimit të efektit të barnave të cilat përdoren gjatë trajtimit të sëmundjes”- ka thënë Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK.

Në Kosovë është dëshmuar se pacientë të sëmurë me diabet e kancer kanë rënë pre e dezinformatave në Internet, të cilat promovojnë preparate të rrejshme për trajtimin e këtyre sëmundjeve. Në kërkimet në Internet zbulohen edhe kurthe të tjera për qytetarët.

Mashtruesit e Internetit kanë promovuar edhe shitjen e preparateve, të cilat rrejshëm pretendojnë se trajtojnë sëmundjet e zemrës.

Gani Bajraktari është mjek kardiolog me përvojë në QKUK. Ai ka porositur qytetarët ‘të mos bien pre e këtyre dezinformatave’.

“Nuk i ulin yndyrnat dhe nuk e parandalojnë shfaqjen e infarktit akut, pra barnat që ne i japim tek pacientët me yndyra të rritura, kanë dy objektiva, dy qëllime: për ta ulë yndyrën në gjak, por qëllimi kryesor është për të parandaluar shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare e infarktit në zemër, në tru, etj., e të cilat mbrohen vetëm me barna që i japin mjekët dhe mjekët e dijnë më së miri se cilat janë ato, kryesisht janë statinat dhe tek ata që s’kanë efekt statinat, janë barnat e tjera”- ka thënë Bajraktari.

Mashtrimet në Internet për produkte, të cilat pretendojnë se janë shëruese për sëmundje të ndryshme janë dokumentuar edhe në Reumatologji.

“Sugjerimi im është që çdo pacient që ka dhimbje, sidomos koha është shumë e rëndësishme, duhet me e konsultu doktorin, jo që është vetëm e dëmshme por shitja e këtyre barnave është e edhe jashtëligjshme, me marrë recetë, me marrë bari pa përshkrim, andaj të gjitha këto janë jo legjitime, jo etike. Si epilog, çdo dhimbje, çdo shqetësim i pacientit duhet të trajtohet sipas udhëzimeve të doktorit adekuat”- ka thënë Kryeziu.

Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë, Avni Kryeziu, ka thënë se trajtimi i këtyre sëmundjeve bazohet në tri fusha kryesore: me medikamente, trajtimi fizioterapeutik dhe trajtimi kirurgjik. Për këtë, ai ka shtuar se ‘edhe terapia ndahet në tri pjesë’.

“Diagnostikimi kalon në disa drejtime, analizat, serologjia, rezonancën, ultrazëri, etj. Kur vendoset diagnoza, në bazë të protokoleve të cilat nuk i kemi shpikur ne, e bëjmë mjekimin, në bazë të gjetjes, në bazë të diagnozës, tash disa kanë nevojë më tepër për terapi medikamentoze e pastaj fizioterapi, e një grup tjetër kur vjen te dekompozimi i nyjes, dëmtimi i rrallë i nyjes, këtu hyn në punë edhe kirurgjia”- thot Kryeziu.

Verifikuesit e fakteve gjatë vitit 2024 kanë dokumentuar edhe fushata të rreme, të cilat pretendojnë të shesin produkte, të cilat trajtojnë lipomat, lythat e bengat e lëkurës.

“Diagnostikimi fillimisht, shkon përmes mjekut të përgjithshëm, pastaj ky e dërgon tek kirurgu plastik. Varësisht prej regjioneve, madhësisë së lipomave, pra grumbullimi yndyror, në fakt nuk e dimë a kemi të bëjmë me lipomë apo me ndryshime të tjera lëkurore, atëherë bëjmë disa ekzaminime shtesë nga radiologu, eho, ultrazëri e deri te rezonanca magnetike, pasi bëhet diagnostikimi atëherë vendoset edhe për trajtim të mëtutjeshëm operativ, dmth format e operimit pastaj kur të operohet shohim se a kemi të bëjmë me lipomë apo ka ndonjë mundësi që kemi ndonjë ndryshim nënlëkuror por që ne pa i operu nuk e dijmë”- ka thënë kirurgu plastik, Korab Berisha.

Berisha, gjithashtu, ka reaguar edhe ndaj shitjeve online të barnave e kremave. Për një problem të tillë, ai ka thënë se duhet të aktivizohen organet shtetërore e të merren me to.

“Mua shpesh më kanë pyetur disa pacientë e më kanë dërgu linqe, suplemente, krema se a mund t`i përdorin këto për lipoma. Unë i kam pyetur se çka është ai ilaç, nuk ka emër, nuk dijnë se çka ka përmbajtje dhe nuk dihet se kush qëndron prapa këtyre. Ne nuk kemi asgjë personale me individ apo shitës të këtyre ilaçeve por s’mund të lejojmë që në trajtimin e pacientëve të bëhet biznes pa e ditur se çfarë ilaçesh, çfarë kremërash po përdorin. Të bëhet biznes apo përfitime materiale në dëm të pacientit”- ka thënë Berisha.

Fushata dezinformuese për shitjen e barërave është dokumentuar edhe nga Shoqatat e Farmacistëve – të licensuar në Kosovë. Për ta, industria e propagandës në Internet është bërë problematike dhe nevoja për intervenim të Shtetit është e domosdoshme.

“Në dy ose tri takimet e fundit të këshillit drejtues të Odës e kemi diskutu që të iniciojmë së bashku edhe me institucione të tjera që shitja e këtyre suplementeve të pamundësohet siç është duke u bërë për momentin. Është përdorur një shurup për të shtuar peshë, por realisht ai shurup përdoret për të zbritur histaminën, e cila ngritet në organizmin e njeriut kur kemi alergji të ndryshme. Pacientët e kanë kombinuar këtë shurup dhe disa tableta për të shtuar peshë. Në fakt ata nuk kanë shtuar peshë por vetëm janë bymyer (fryer), derisa e ka pas efektin e vet dhe pas dy jave ata kanë mbërri në kilogramët e vet. Raste të tjera e ka përdor tezja, halla kemi pasur shumë duke mos e konsideruar që ato barna mund të kenë efekt të ndryshëm tek secili pacient”- ka thënë Jehona Hakaj, nënkryetare e Odës së Farmacistëve.

Mbi 141 milionë euro shtesa ushqimore, si vitamina apo minerale janë importuar në Kosovë. Të dhënat tregojnë se këto medikamente shiten rrejshëm te qytetarët, të cilët mashtrohen duke menduar se po marrin ilaçe.

“Me ligj nuk ndalohet shitja e suplementeve në formën online, por më së miri është që këto të rekomandohen nga farmacisti në barnatore dhe jo të blihen online, pasi farmacisti është kompetent për sqarimin e mënyrës së përdorimit dhe efekteve anësore apo edhe format e dozimit, mirëpo produktet online çdo herë janë më të shtrenjta se sa që janë në barnatore”- ka thënë Farmacisti klinik, Astrit Haxhijaha.

Suplementat në Kosovë konsiderohen si shtojsa ushqimore. Andaj, edhe kontrollohen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë – në aspektin e sigurisë. Në Agjenci alarmojnë se këto produkte nuk mund të përdoren si shërues, mirëpo janë vetëm shtesa.

“Shtojcat ushqimore apo suplementet i nënshtrohen kontrolleve të njëjta sikurse produktet ushqimore. Çdo ngarkesë që vjen në import, po flasim për importet e rregullta, këto kontrollohen nga ana e inspektorit kompetent sepse varësisht nga origjina apo vendi nga ku vjen ai suplement i nënshtrohen kontrollit nga inspektori dhe këto produkte kontrollohen vetëm në aspektin e sigurisë dhe se pastaj për çfarë i përdorin njerëzit apo mënyrën e përdorimit, ato ne nuk mund t`i kontrollojmë. Në aspektet e tjera ne nuk kemi fuçi ta ndalojmë dike që këto të mos përdoren. Nga viti 2023 inspektorët sanitarë kanë kaluar nën menaxhim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ata duhet t`i kontrollojnë”- ka thënë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Dogana e Kosovës ka konfirmuar se në vitin 2023, totali i suplementeve që është importuar në Kosovë është 68 milionë euro. Ndërkaq, në 2024 kjo shifër është dyfishuar në 141 milionë euro. Ministria e Shëndetësisë – e as Agjencia për Kontrollin e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale – nuk kanë kthyer një përgjigje lidhur me interesimin e KALLXO.com, për këtë problematikë. Ndërkaq, në terren përpos shitjes së barërave, janë identifikaur edhe mashtrues të tjerë, të cilët pretendojnë se ushtrojnë veprimtari shëruese.

Më 16.07.2024, Nazmi Mulaku, i cili në rrjete sociale paraqitet se është mjek popullor e se shëron disa sëmundje.

Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se në Vushtrri janë arrestuar dy persona të dyshuar ‘për mashtrim’ dhe ‘ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’.

Kjo Prokurori ka njoftuar se personat me iniciale N. M. dhe P. I., janë duke u hetuar për veprat penale ‘mashtrim’ dhe ‘ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’. Për të njëjtin rast, janë zhvilluar masat e veçanta hetimore. Për këtë rast, janë duke u zhvilluar hetime e ndërmarrë veprime hetimore.

 Ky artikull u zhvillua në partneritet me nismën rajonale Western Balkans Anti-Disinformation Hub, që zbatohet nga Fondacioni “Metamorphosis”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kallxo.com  dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e partnerëve dhe mbështetësve të projektit.

This article was developed in partnership with the regional initiative Western Balkans Anti-Disinformation Hub, implemented by the Metamorphosis Foundation with financial support from the Ministry of Foreign Affairs of the Kingdom of the Netherlands. The contents of the article are the responsibility of Kallxo.com  and do not necessarily reflect the positions of the project partners and donor.

 Ovaj članak  napisan je u partnerstvu sa regionalnom inicijativom Western Balkans Anti-Disinformation Hub koju sprovodi Fondacija Metamorphosis, i to uz finansijsku podršku Ministarstva vanjskih poslova Kraljevine Holandije. Sadržaj članka je u domenu odgovornosti organizacije Kallxo.com  te nužno ne odražava stavove projektnih partnera kao ni finansijera.