Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons
Kardiologët me aktakuzë vazhdojnë të mbajnë pozita drejtuese në klinikë
Edhe pse po akuzohen nga Prokuroria për cenim të të drejtave në marrëdhënie të punës të kolegut të tyre, Drejtori i Kardiologjisë, Lulzim Kamberi dhe shefi i shërbimit të Elektrostimulimit dhe Elektrofiziologjisë, Edmond Haliti, në këtë klinikë vazhdojnë të ushtrojnë detyrat e tyre pa ndonjë problem.
Të dy kardiologët dyshohen se në bashkëpunim dhe me vetëdije kanë bërë veprime diskriminuese ndaj kardiologut Imri Jashari.
Megjithatë, ndaj tyre nuk është ndërmarrë asnjë masë e as s’është hapur ndonjë procedurë disiplinore nga ana e institucionit ku dyshohen se kanë kryer veprën penale.
E kontaktuar nga KALLXO.com, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) tha se i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë për të konfirmuar nëse ndaj tyre është ngritur aktakuzë.
“Zyra e Personelit në QKUK, përmes kërkesës zyrtare i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku është kërkuar informacion zyrtar nëse ka të ngritur aktakuzë për drejtorin e klinikës në fjalë dhe shefin e një njësie” – thanë nga drejtoria e QKUK-së e udhëhequr nga ushtruesi i detyrës, Osman Hajdari, më 08.08.2024.
Në një përgjigje tjetër, më 22.08.2024, kjo drejtori tha se është duke analizuar çështjen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi se ka pranuar kërkesën nga QKUK dhe se të njëjtit i ka informuar për çështjen në fjalë.
Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh disa raste kur nëpunësi civil mund të pezullohet nga puna. Ndër to është edhe kur ndaj tij është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij.
I njëjti ligj parasheh që nëpunësi i pezulluar me këtë arsyetim përfiton vetëm 50 për qind të pagës gjatë periudhës së pezullimit. E, në rast se procedura penale përfundon pa dënim penal, nëpunësit të pezulluar i kompensohet pjesa e ndaluar e pagës bazë.
Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), që është organi më i lartë drejtues i institucionit tha se kjo çështje është e natyrës menaxheriale, duke na referuar te përgjigjet e QKUK-së.
Megjithatë, bordi tha se planifikon që këto pyetje do t’i diskutojë në mbledhjen e radhës.
“Për më tepër, Bordi Drejtues i SHSKUK-së, pyetjet në fjalë do të i diskutojë në mbledhjen e radhës të Bordit, dhe pas raportimit për të njëjtat, do të kërkohet të procedohen konform përgjegjësive obligimeve ligjore” – tha sekretari i Bordit, Fahredin Majkovci.
Kamberi dhe Haliti, në bazë të aktakuzës, dyshohen se i kanë ndaluar hyrjen në sallë duke ia kufizuar ushtrimin e detyrës.
“Në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit të Punës kanë bërë veprim diskriminues të konstatuar nga raporti zyrtar i Inspektoratit të Punës, në atë mënyrë që pas një çështjeje të ngritur nga i dëmtuari në lidhje me një situatë eventuale të konfliktit të interesit, të pandehurit ia kanë kufizuar të dëmtuarit të drejtën që të ushtrojë detyrën e tij zyrtare, e për të cilën posedon kontratë pune me përshkrim të detyrave, që të hyjë në sallë për implementimin e devicave” – thuhet në aktakuzë.
KALLXO.com është munduar që të marrë përgjigje edhe nga Kamberi e Haliti lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli, asnjëri nuk ka ofruar përgjigje.
Protesta për shkarkim të drejtorit
Drejtori i Kardiologjisë është i padëshiruar nga disa kolegë të tij në këtë klinikë, të cilët e shohin atë si të padenjë për të udhëhequr klinikën.
Këtë pakënaqësi, disa prej tyre e patën shprehur përmes një proteste më 29.09.2023 duke kërkuar shkarkimin e tij. Protesta erdhi pasi që 18 kardiologë kishin nënshkruar një kërkesë për shkarkimin e Kamberit më 11.07.2023, të cilën e kishin dërguar në adresë të drejtorit të ShSKUK-së, Elvir Azizi.
Ata kanë drejtuar gishtin tek drejtori Kamberi për paaftësi menaxheriale, diskriminim në baza gjinore, ikje nga përgjegjësia profesionale, përkrahje të shkaktarit të dhunës në klinikë e rol përçarës.
Kamberi ka mohuar akuzat në vazhdimësi duke thënë se kërkesa për shkarkim është nga disa mjekë nga reparti i Kardiologjisë Invasive, “të cilët duan t’i ruajnë privilegjet e tyre”.
Ata po ashtu kanë kërkuar shkarkimin e shefit të Njësisë Koronare, Artan Ahmeti pasi sipas tyre i njëjti para se të përzgjidhej në këtë pozitë ka shkaktuar dhunë fizike ndaj kolegut.
Ahmeti akuzohet nga Prokuroria në Prishtinë se i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kolegut të tij, kardiologut Fisnik Veliu.
Drejtori Lulzim Kamberi në një reagim kishte thënë se kërkesa e këtij grupi kardiologësh për ta “suspenduar dhunuesin dhe menaxhmentin që mbron dhunuesin”, është kërkesë mbi ligjin sepse, sipas tij, organet ligjore kanë thënë fjalën e tyre.
Bordi i ShSKUK-së pati diskutuar kërkesën për shkarkimin e Kamberit në mbledhjen e mbajtur më 12.07.2023 bashkë me drejtorin Azizi. Ata patën vendosur që të formohej një grup vlerësues për të vërtetuar nëse pretendimet qëndrojnë, sepse peticioni nuk mund të merret si bazë për të ndërmarrë veprime kundër një menaxhmenti të një klinike.
Deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë vendim kundër Kamberit.