Përplasje mes Prokurorisë dhe avokatit Besnik Berisha në gjykimin për detyrim
Me përplasje e tensione mes Prokurorisë Speciale dhe mbrojtjes është përshkuar procesi gjyqësor në rastin ku Asdren Mekaj po akuzohet për detyrim.
Të premten, avokati i Asdren Mekaj, Besnik Berisha, ka propozuar që disa dëshmitarë të rinj të dëgjohen në gjykatë.
Ai ka vënë në dukje se, sipas tij, Prokuroria dhe Policia kanë refuzuar të sigurojnë prova shfajësuese, edhe pse kanë obligim ligjor për ta bërë.
Mirëpo, prokurorja e çështjes, Merita Bina-Rugova, e ka konsideruar këtë propozim si një përpjekje për të zvarritur procedurën.
Bina-Rugova ka argumentuar se propozimi i dëshmitarëve nga ana e avokatit të të akuzuarit është një shembull i vazhdueshëm i përpjekjeve për të vonuar procedurën, që në këtë rast ka zgjatur pesë vite e gjysmë pas ngritjes së aktakuzës.
“Konsideroj se ky propozim i mbrojtjes është edhe një shembull dhe një përpjekje e radhës për zvarritje të procedurës, e cila edhe ashtu deri tash ka zgjatur pas ngritjes se aktakuzës pesë vite e gjysmë, diçka që konsideroj se është e pafalshme. Prokuroria disa vite me parë ka insistuar që të dënohet mbrojtësi për zvarritje të procedurës dhe ky propozim është edhe një dëshmi i qëllimeve të tyre” – deklaroi prokurori Binaj-Rugova.
Prokurorja ka theksuar se dëshmitarët e propozuar nuk janë paraqitur më parë në Polici ose Prokurori për të dhënë dëshmi.
Ajo gjithashtu ka insistuar që gjykata të lexojë transkriptin e dorëzuar nga Prokuroria ku flitet për mënyrën e kryerjes së veprës penale nga i akuzuari, si dhe për dërgimin e mesazheve nga ai dhe kërcënimet.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Miftar Qelaj, gjithashtu ka kundërshtuar propozimin e dëshmitarëve, duke e vlerësuar atë si jo relevant dhe pa rëndësi për objektin e akuzës.
“Konsideroj se Gjykata nuk duhet të lejojë të aprovojë propozime për prova të cilat nuk kanë ndonjë relevancë në lidhje me objektin e akuzës, aq më tepër kur propozohet dëgjimi i dëshmitarëve – persona të cilët janë dënuar penalisht me aktgjykim të formës së prerë dhe që nuk kanë të bëjnë me të dëmtuarin Pal Gruda” – tha mes tjerash avokati Qelaj.
Pas kësaj avokati Besnik Berisha ka reaguar duke thënë se Prokuroria është në panik pasi që ajo çfarë i ka sjell Gjykatës ishte e manipuluar dhe se provat Prokurorisë Speciale i ka keqinterpretuar dhe ato në dobi të të akuzuarit nuk i kanë siguruar.
Në lidhje me këtë, prokurorja Bina-Rugova ka argumentuar se mbrojtja po përdorë fjalor fyes dhe se kjo po kalon pa u ndëshkuar nga ana e trupit gjykues.
“Për dallim nga mbrojtja, mua më duhet me qenë shumë e shkurt sepse zakonisht nuk më jepet mundësia që të flas më gjatë. Kësaj radhe dua të apeloj prej trupit gjykues që t’i tërhiqet vërejtja mbrojtjes nga fjalori fyes që e përdorë rregullisht, jo vetëm në raport me deklaratën e të dëmtuarit por edhe në raport me Prokurorinë dhe aktakuzën. Ky zakon i mbrojtjes fatkeqësisht kalon pa asnjë vërejtje nga ana e trupit gjykues përkundër faktit se i referohet aktakuzës dhe pohimeve në aktakuzë me fjalët ‘trillimet, manipulime, gënjeshtra etj” – deklaroi prokurorja.
Në fund, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha ka vendosur të refuzojë propozimin e dëshmitarëve nga ana e palës së akuzuar.
Me kërkesën e avokatit Berisha, gjykimi i sotëm është ndërprerë, kurse seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 27 dhe 28 shtator 2023.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Asdren Mekaj, për shkak të kryerjes së veprës penale “Detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “Shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të KPPK.
Por Gjykata e Apelit, në gusht të vitit 2018 në mungesë të provave, ka hedhur poshtë pjesën e aktakuzës për veprën penale të shantazhit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj ngarkohet se nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat Mekaj vetë i ka caktuar.
Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale.
Ndryshe, këtë lëndë e ka gjykuar ish-gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo me kërkesë të mbrojtjes gjykatësi Osmani ishte përjashtuar, kurse me vendim të gjykatës lënda i është caktuar gjykatëses Teuta Krusha.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.