Përparim Rama flet për marrëveshjen me PDK-në

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë detaje lidhur me marrëveshjen me PDK-në për qeverisjen në komunë.

Rama tha se me PDK-në ende nuk i kanë ndarë postet, pasi kjo varet nga njerëzit që do u ofrojnë.

“Me PDK-në nuk i kemi ndarë ende postet, kjo varet e gjitha prej njerëzve që do na ofrojnë”, ka thënë Rama.

Ai shtoi se nuk do kenë problem më ndryshim të programit, pasi nuk ka shumë dallim me atë që ka shpalosur PDK dhe partitë e tjera, sipas tij, diskutim janë vetëm personat që do vendosen në drejtori.

“Sa i përket mundësisë për ndryshim programi për shkak të koalicionit, mund të them se kemi ngjashmëri në shumë pika, kjo nuk do jetë problem, çështja është tek gjetja e personave profesionistë”, theksoi ai.

I pari i Prishtinës u bëri thirrje edhe partive tjera që të bashkohen për zbatim të projekteve.

“Ne e kemi për detyrë që ta kemi një përbashkim dhe ta bëjmë shumicën, në mënyrë që projektet tona t’i zbatojmë. Të gjitha partitë që kanë interes mund të bashkohen për të çuar përpara këto projekte”, shtoi tutje Rama.

Rama nuk ka treguar se sa drejtori do i jepen PDK-së me arritjen e këtij koalicioni.

Sot në seancën e jashtëzakonshme të komunës, Kuvendi Komunal zgjodhi për kryesues kandidatin Fehmi Kupina nga LDK.

Kupina u zgjodh në këtë pozitë në rundin e tretë të votimeve.