Përfundon seanca e jashtëzakonshme, deputetët e pozitës miratuan disa projektligje

Pas përfundimit të seancës në të cilën u miratua në lexim të dytë Projekligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2024, Kuvendi nisi një seancë të jashtëzakonshme.

Prezentë në këtë mbledhje që u mbajt në orët e vona të së enjtes ishin vetëm deputetët e pozitës, përderisa opozitarët lëshuan sallën para se të miratohej Projektligji për buxhetin.

Në ëktë seancë ligjvënësit miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, në mesin e tyre Projektligji për administrimin e procedurave tatimore, Projektligji për shërbime sociale dhe familjare e Projektligji për konfliktet administrative.

Gjithashtu, mbështetje nga deputetët për t’i kaluar morën edhe Projektligji për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh, Projektligji për kadastër të pronës së paluajtshme, Projektligji për organizimin e tregut për produktet bujqësore.

Më tej, deputetët miratuan edhe Projektligjin për ndryshimet klimatike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare, dhe Projektligjin për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Kurse shqyrtimi i dytë i Projektkodit doganor dhe të akcizave është shtyrë për një seancë tjetër.

Në anën tjetër, Ligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024 ka kaluar në lexim të dytë me mbështetjen e 63 deputetëve.

Në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK. Opozita nuk kishte marrë pjesë as në votimin e parë të këtij Projektligji në muajin nëntor.

Sot, në seancën që ka zgjatur më shumë se 8 orë, deputetët kanë shqyrtuar 64 amendamente të këtij Projektligji.

Më 16 nëntor deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024 pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Ky buxhet është mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e këtij viti.