Foto: KALLXO.com

Për plumbat që u shkrepën dje në Prishtinë ende asnjë i arrestuar

Në tri raste të ndara, në tri periudha kohore të ndryshme, por në të njëjtën ditë, Prishtina ushtoi nga plumbat që u shkrepën dje, më 04.03.2023.

Nga plumbi i plagosur mbeti vetëm një person, e në pranga të Policisë së Kosovës edhe pas më shumë se 24 orë që nga rasti i parë nuk ka ende asnjë të arrestuar.

Siç mëson KALLXO.com, hetimet në të tria rastet janë duke vazhduar. Hetuesit policor në koordinim me organet e tjera të drejtësisë po vazhdojnë me veprime hetimore, por që deri më tani nuk kanë sjellë ndonjë rezultat në vënien në pranga të ndonjë personi të dyshuar.

Se nuk ka ende të arrestuar u konfirmua edhe nga zyra për informim e Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës.

Për rastin e plagosjes, përpos Policisë është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Kjo e fundit ftoi qytetarët të cilët kanë informata relevante rreth rastit të bashkëpunojnë me autoritetet ligjzbatuese, duke iu drejtuar Prokurorisë dhe Policisë për të ndihmuar në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes.

Prokuroria tha se menjëherë pas marrjes së informatave për plagosjen e një personi në Prishtinë, kanë autorizuar Policinë për marrjen e veprimeve të nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

“Sigurojmë opinionin publik se në koordinim me hetuesit policorë kemi ndërmarr të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit” – theksoi Prokuroria.

Plumbat e parë që u shkrepën nga persona ende të panjohur në paraditen e 04.03.2024 në Prishtinë u gjuajtën në drejtim të një personi, që edhe mbeti i plagosur.

E plumbat e mbrëmjes së 04.03.2024 u shkrepën në drejtim të një veture në të cilën gjendej një burrë e më pas edhe në drejtim të një objekti ndërtimor.

Në raportin 24-orësh policor u njoftua se që të tria raste u iniciuan si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa dy të parat u iniciuan edhe si “Vrasje në tentativë”.

Raporti tregon se dy raste ndodhën në rrugën “Bedri Shala”, e një tjetër në “Shaip Spahiu”.

Sipas këtyre raporteve, rasti i parë ndodhi në 10:00h, ku një burrë mbeti i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që Policia tha se janë shkrepur në drejtim të tij nga persona të panjohur.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një fishekë dhe disa gëzhoja.

Rasti i dytë ndodhi në 21:42h, ku një burrë ka raportuar se deri sa ka qenë me veturë, tre persona të panjohur nga vetura e tyre në lëvizje–pa targa, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Policia tha se përveç dëmeve materiale të shkaktuar në veturë nuk raportohet për lëndime në njerëz.

Ndërsa rasti i tretë po ashtu ndodhi në 21:42h, ku ankuesi ka raportuar se, dy apo tre persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të objektit ndërtimor, me ç’rast një predhë kishte mbetur në korridorin e këtij objekti.

Policia tha se njësitet policore pasi kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë gjetur e konfiskuar edhe një fishekë dhe një gëzhojë cal-7.6 mm.

Tutje u tha se të lënduar nuk ka, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Plagosja në Prishtinë, Prokuroria fton qytetarët që kanë informata për rastin të bashkëpunojnë