Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për 1 Maj, Sindikata e RTK-së ngrit shqetësimet për padrejtësitë ndaj tyre

Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), përmes një reagimi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, e ka quajtur të papranueshme që punëtorëve të RTK-së të “vazhdohet t’iu shkelen të drejtat elementare të punës si mungesa e kushteve të punës, duke filluar prej karrigeve e deri te hapësira për punë, padrejtësitë në avancime, degradimet etj”.

Sipas kësaj sindikate, është papranueshme të “përndjeken” përfaqësuesit sindikal dhe punëtorët që ngrisin zërin për kushte më të mira të punës, kundër keqmenaxhimit dhe dukurive abuzive.

“SPRTK kërkon nga Institucionet e Kosovës që ta zgjidhin çështjen e pronës dhe atë financiare të RTK-së, jashtë buxhetit të shtetit, si parakusht për pavarësi editoriale dhe qëndrueshmëri financiare në Transmetuesin Publik. Solidarizimi me punëtorët do të duhej të vinte edhe nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, duke i kryer detyrat e tyre në zyret e punës të cilat mund të mos i kenë të standardit të dëshirueshëm  por së paku i kanë shumë herë më të mira se ato të  punëtorëve” – thuhet në reagimin e Sindikatës së RTK-së.

Ndryshe, anëtarët e Bordit të RTK-së pikërisht në ditën kur Sindikata e Pavarur e RTK-së reagoi se punëtorët e RTK-së nuk i kanë marrë ende rrogat, janë akomoduar në një nga resorët hotelier në Rugovë.

Lidhur me këtë KALLXO.com ka dërguar pyetje kryetarit të Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës, Valon Ramadani. I njëjti është pyetur nëse ky Komision do të kërkojë përgjegjësi nga ana e anëtarëve të Bordit të RTK-së, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Kujtojmë që Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së disa herë kanë theksuar se RTK nuk ka buxhet të mjaftueshëm për funksionimin normal.

Ky është reagimi i plotë i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së:

Në ditën e PUNËTORIT 1 MAJIN punëtorët e RTK-së pa paga, ndërsa Bordi dhe Menaxhmenti gjejnë kohë dhe financa për të qëndruar disa ditë në njërin prej hoteleve lluksoze të Bjeshkëve të Rugovës.

Paga nga RTK për shumicën e punëtorëve është burim i vetëm i të hyrave financiare dhe është shqetësuese që askush nga drejtuesit e RTK-së nuk flet se pse ato ende nuk janë ekzekutuar.

Për Sindikatën do të jetë e papranueshme që punëtorëve të RTK-së të vazhdohet t’iu shkelen të drejtat elementare të punës si mungesa e kushteve të punës, duke filluar prej karrigeve e deri te hapësira për punë, padrejtësitë në avancime, degradimet me motive hakmarrëse, mosrespektimi i Kontratës Kolektive etj.

1 Maji na kujton ngjarjen në Çikago të SHBA-së, të viti 1867, ku vala represive kishte goditur ashpër organizatat sindikaliste të punëtorëve, duke ua mbyllur selitë dhe arrestuar drejtuesit e tyre.

155 vjet pas kësaj ngjarjeje, konkretisht në dhjetor të vitit 2022, derisa kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së po mbante takim në zyren e saj, nga drejtuesit e RTK-së në adresë të kryetarit të Sindikatës kishte ardhur një email kërcënues me masa ndëshkuese. Disa ditë pas këtij emaili kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së degradohet për pesë shkallë, i mbyllet zyra e punës, i ndërrohet cilindri i bravës dhe i pamundësohet qasja në mjetet e punës.  Ajo çka ka mbetur pa u realizuar e që do të ishte identike me ngjarjen e Cikagos është  arrestimi i përfaqësuesve sindikal.

Për Sindikatën është e papranueshme që Menaxhmenti i RTK-së të udhëheqet nga 100% burra dhe si Sindikatë përsërisim kërkesën pikërisht me 1Maj, duke kërkuar përgjegjësi për  padrejtësitë që u janë bërë grave në garën për këto pozita.

Për Sindikatën ëshë e papranueshme të përndjeken përfaqësuesit sindikal dhe punëtorët që ngrisin zërin për kushte më të mira të punës, kundër keqmenaxhimit  dhe dukurive abuzive.

Sindikata do të vazhdojë të angazhohet që punëtorët e RTK-së të bëjnë punë dinjitoze në shërbim të informimit të drejtë të publikut, dhe të drejtat e tyre të garantuara me ligj të zbatohen në praktikë.

SPRTK kërkon nga  Institucionet e Kosovës që ta zgjidhin çështjen e pronës dhe atë financiare të RTK-së, jashtë buxhetit të shtetit, si parakusht për pavarësi editoriale dhe qëndrueshmëri financiare në Transmetuesin Publik.

Duke e konsideruar 1 Majin, si ditë të solidaritetit ndërkombëtar të punëtorëve, Sindikata do të vazhdojë që këtë vlerë ta kultivojë edhe në të ardhmen.

Solidarizimi me punëtorët do të duhej të vinte edhe nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, duke i kryer detyrat e tyre në zyret e punës të cilat mund të mos i kenë të standardit të dëshirueshëm  por së paku i kanë shumë herë më të mira se ato të  punëtorëve.