Coronavirus: Gjykata refuzon kërkesën e ministrisë për lirimin e të burgosurve me sëmundje të rënda

Katër kërkesa nga gjithsej 22 sa ishin bërë nga ana e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë për pezullim të dënimit të të burgosurve me sëmundje kronike janë refuzuar nga Gjykata e Pejës.

KALLXO.com mëson se kërkesat lidhur me katër të burgosur me inicialet A.N., Gj.B., N.L. dhe H.I. janë refuzuar sot nga ana e Gjykatës Themelore të Pejës.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kryetarin e Gjykatës në Pejë, Sami Sharraxhiu i cili tha se kanë dërguar sqarim se pse të burgosurit mund të qëndrojnë në burg.

”Nuk është refuzim por i kemi dërguar sqarim se pse ata nuk mund të lirohen”, ka thënë Sharraxhiu.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Zëdhënësin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi i cili ka thënë se gjykata ka konsideruar se nuk ka bazë për pezullimin e mbajtjes së dënimit.

“Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar Shërbimin Korrektues të Kosovës se nuk ka bazë për pezullim të përkohshëm të ekzekutimit të dënimit ndaj katër të dënuarve për të cilët kemi parashtruar kërkesë. E njëjta konsideron se të njëjtit mund të trajtohen brenda institucioneve korrektuese”, tha Gashi për KALLXO.com.

Në një intervistë për KALLXO.com, Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaqi ka thënë se kishte bërë kërkesë për pezullimin e dënimit për 23 persona për shkak të sëmundjeve të rënda të tyre.

Kjo kërkesë erdhi pas gjendjes alarmante të krijuar në Kosovë pas rasteve të para të konfirmuara me coronavirus.

Masat ndaj coronavirusit: Kërkohet pezullimi i dënimit për 23 të burgosur