Masat ndaj coronavirusit: Kërkohet pezullimi i dënimit për 23 të burgosur

Situata e krijuar në Kosovë pas konfirmimit të rasteve të cilat dolën pozitive me coronavirus ka bërë që edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës të marrëë vendime në lidhje me të burgosurit dhe stafin mjekësor.

Drejtori i burgjeve, Nehat Thaçi, në një intervistë për KALLXO.com tregoi se kanë kërkuar nga gjykatat kompetente të bëhet pezullimi i dënimit për 23 të burgosur të cilët vuajnë nga sëmundje kronike.

“Të premten kemi kërkuar që ndaj 23 të burogusrve të pezullohet dënimi për shkak të sëmundjeve kronike që kanë”, tha Thaçi.

Ai shtoi gjithashtu se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë përgjegjësinë që të kontaktojë me gjykatësit në lidhje me këtë çështje.

“Realisht janë 23 të burgosur dhe në bashkëpunim me ministren e Drejtësisë, ajo ka marrë përgjegjësi që të kontaktojë vetë me gjykatësit dhe të flasin rreth pezullimit sepse kemi të burgosur që kanë vërtetë sëmundje shëndetësore. Shpresoj që nesër ose të martën të bëhet pezullimi dhe të pranohet kërkesa jonë”, shtoi Thaçi më tutje.

Në Kosovë, vetëm në tri ditët e fundit nëntë persona janë konfirmuar si të prekur me virusin corona.

Një sërë masash janë ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës, si ato për mbylljen e tregjeve, restoranteve, kafeneve, aktiviteteve kulturore, e sportive.