Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Pejë, arrestohet një burrë pasi raportoi rrejshëm për vjedhje të mbi 4 mijë eurove të postës private

Policia ka arrestuar një person në fshatin Raushiq të Pejës pasi kishte bërë lajmërim të rremë për grabitje të mbi 4 mijë eurove të postës private dhe para personale.

Sipas policisë, i dyshuari më 17 janar ka raportuar se derisa po dërgonte postën në një lokacion, është ndalur nga 4 persona të maskuar e të armatosur të cilët i kanë marr 4, 387 euro të postës private dhe 643 euro para personale.

“Drejtoria Rajonale e Policisё Pejё, Stacioni Policor nё Pejё, me datё 17.01.2023, rreth orёs 19:50, ёshtё informuar se ka ndodhur njё rast “Grabitje” nё fshatin Raushiq-Pejё. Policia menjёherё ka dalё nё vendngjarje, aty nga viktima jemi informuar se deri sa ishte duke dёrguar postё nё njё lokacion, papritmas ёshtё ndaluar nga katёr(4) persona tё maskuar dhe tё armatosur tё njëjtit e kanё nxjerrё me dhunё nga vetura duke i marrur para nё shumё prej katёrmijё e treqind e tetёdhjetё e shtatё euro e shtatёdhjetё e tetё cent (4387.78), para tё postës private dhe gjashtёqind e dyzet e tre (643) euro , para personale”- thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftimin e policisë bëhet e ditur se gjatë intervisitmit është argumentuar se i dyshuari ka inskenuar rastin e grabitjes, pasi i kishte harxhuar paratë më herët.

“Gjatё intervistimit tё viktimёs nga hetuesit e Sektorit Rajonal pёr Hetime, gjatë një pune hetimore, bazuar në provat e mbledhura, kemi argumentuar se viktima/tani i dyshuari ka inskenuar rastin e grabitjes. Nё deklaratën e dhënë me shkrim, i njëjti ka pranuar veprën, rastin e grabitjes e ka inskenuar për shkak se, me herët i ka harxhuar parat”- thuhet më tej nga policia.

Sipas njoftimit, nga i dyshuari janё sekuestruar 1,145 euro.

Derisa, me urdhёr tё prokurorit tё shtetit, i dyshuari ёshtё dёrguar nё ndalim Policor prej 48-orёsh, pёr veprёn penale “Lajmёrim apo kallёzim i rremё”.