Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK sfidon të tjerët: Hyjmë në garë me lista të pastra

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arianit Elshani në “KALLXO Pernime” ka deklaruar se PDK-ja do ta vazhdojë standardin që në listë për zgjedhje mos të ketë zyrtarë të dënuar apo me aktakuzë.

Elshani tha se edhe partitë e tjera duhet ta ndjekin këtë standard.

“Nuk e kuptoj hezitimin për mos me respektu vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin që kanë vendos për njerëzit të dënuar. Ky është standardi i Kushtetueses, dhe si parim një herë e mirë duhet partitë t’i pastrojnë edhe listat e tyre. PDK e ka nisur më 2019 paktin e korrupsionit, për personat me aktakuzë dhe të dënuar. PDK e ka vendos këtë standard dhe do ta mbajë”, u shpreh ai.

Në emisionin e sotëm të “KALLXO Pernime” po diskutohet me vendimmarrësit e KQZ-së.

Të ftuar në emisionin e sotëm janë, Arianit Elshani nga PDK, Ibrahim Selmanaj nga AAK, Sami Kurteshi nga LVV dhe Labinot Leposhtica nga Zyra e Ligjore e BIRN-it.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani mbrëmë ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt.

Kurse, sot, në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur se fushata zgjedhore fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021.

Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Kushtetuesja kishte konstatuar se Qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim.