Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

PDK kërkon debat parlamentar në lidhje me arrestimet në KEK, deputetët nuk e mbështesin

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Nagip Krasniqi, u arrestua dje me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për ‘keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit’.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri përmes një mocioni procedural ka kërkuar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli që në fillim të seancës plenare të raportojë në Kuvend për këtë arrestim.

“Si grup parlamentar kërkojmë që tashmë të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës, raportimi i ministres së zhvillimit ekonomik mbi arrestimet dje që kanë ndodhë në KEK. Ne e dijmë që KEK drejtohet nga një bord i emëruar nga Qeveria, ky bord e ka emëru një shef i cili ka qenë zyrtar i lartë i LVV-së dhe i njëjti u arrestua dje nga Prokuroria Speciale”- deklaroi Tahiri.

Tahiri ka kërkuar nga deputetët që të mbështesin këtë mocion, teksa tha se është e rëndësishme që ministrja të raportojë se për çfarë keqpërdorimesh bëhet fjale.

“Është shumë e rëndësishme që ministrja e zhvillimit ekonomik e cila mbikëqyrë punën e KEK-t, të dalë para deputetëve dhe të raportojë se për çfarë keqpërdorimesh bëhet fjalë. Sa tendera njëburimor janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale, prandaj duhet ta votoni këtë mocion që të renditet ky debat në lidhje me arrestimet e djeshme”- tha shefi i gp të PDK-së.

Mocioni i prezantuar nga PDK-ja nuk e ka marrë mbështetjen e deputetëve, pasi ka marrë vetëm 32 vota për, 45 kundër dhe asnjë abstenim.

Më pas Tahiri tha se PDK nuk do të qëndrojë në në seancë sepse siç tha ai “është e pakuptimtë që të vazhdohet debati për çështje tjera përderisa si opozitë po na mohet e drejta jonë për debat në lidhje mearrestimet e djeshme”.

Arrestimi i kryeshefi të KEK-ut është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë, Krasniqi është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.

Në njoftim thuhet se, Njësia e Veçantë e Hetimeve po ashtu sot ka  bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, 1 lap-top, 1 celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit, i pandehuri me inicialet Krasniqi është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Krasniqi ka qenë drejtues i komitetit për energji në LVV, derisa ishte zgjedhur në pozitën e kryeshefit të KEK-ut në prill të vitit 2021.

Krasniqi në krye të kësaj ndërmarrjeje u zgjodh nga bordi i përkohshëm i asaj kohe në KEK përmes një konkursi në të cilin kishin aplikaur 38 kandidatë. Bordi i përkohshëm ishte emëruar nga Qeveria Kurti, pa konkurs publik.

Krasniqi në të kaluarën ishte parë në disa takime me drejtues të lartë të LVV-së që nga koha e Visar Ymerit e deri në takimet së bashku me tashmë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Komiteti për energji sipas statutit të Lëvizjes Vetëvendosje është organ këshillues i partisë.

I pyetur nga KALLXO.com në vitin 2021 nëse është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje apo nëse është paguar për këshillat e ofruara, Krasniqi ishte shprehur se as nuk është anëtar e as nuk ishte paguar për punën në LVV.

Arrestohet kryeshefi i KEK-ut, dyshohet për tri vepra penale