PDK e quan “provokuese” dhe “skenar dashakeqës” vizitën e Albin Kurtit në Skenderaj

Dega e PDK-së në Skenderaj e ka quajtur “provokuese” vizitën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në këtë qytet.

Kjo degë e ka konsideruar të papranueshme vizitën e Albin Kurtit në Skenderaj i shoqëruar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

“Kjo vizitë e blinduar kishte për qëllim provokimin e qytetarëve të Skenderajt dhe viktimizimin e mëtutjeshëm të Albin Kurtit me qëllim të përfitimit elektoral në prag të zgjedhjeve. Vizita e Kurtit sot në Skenderaj u realizua shoqëruar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, gjë që nuk ndodhi para pak ditësh në veri të Mitrovicës. Pse ndodhi kështu?”, thuhet në reagim.

Kjo parti ka thënë se situata e sotme në Skenderaj ishte krejtësisht e inskenuar dhe me skenar dashakeq.

“Tentimi për ta paraqitur Skenderajn si zonë me rrezikshmëri është i kahmotshëm, edhe për kundër se Skenderaj që nga paslufta, bazuar në raportet zyrtare ka qenë dhe vazhdon te jetë zona më e sigurt në Kosovë. Kjo lloj vizite dëshmon se Albin Kurti nuk po zgjedh mënyra dhe forma për të përfituar elektoralisht, edhe duke përdorur forcat e rendit. Qytetarët e Skenderajt në vazhdimësi kanë përqafuar vlerat demokratike të lirë dhe të zgjedhjes së lirë. Qytetarët e Skenderajt kanë sakrifikuar në vazhdimësi për këto vlera. Ata as sot dhe asnjëherë nuk do të bien pre e provokimeve të ulëta nga kushdo që bëhen”, përfundon reagimi i degës së PDK-së në Skenderaj.

KALLXO.com ka raportuar sonte se Albin Kurti nuk është pritur mirë gjatë vizitës së tij në Skenderaj.

Në videot qe KALLXO.com ka siguruar dëgjohen një grup qytetarësh duke brohoritur “Thaçi, Thaçi, UÇK, UÇK”.