PDK e nis opozitën me protestë

Në kohën kur po pritet që të votohet qeveria e re në krye me Albin Kurtin, Partia Demokratike e Kosovës, e cila për 12 vjet ka qenë në pushtet, opozitën e ka filluar me protestë.

Rinia Demokratike e Kosovës kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, me disa pankarta në duar kundër Qeverisë Kurti, që ende nuk është votuar.

Ata po ashtu ia kujtuan Albin Kurtit deklaratat kundër Isa Mustafës dhe LDK-së, në kohën kur ai ishte kryeministër.

“Isë, Isë argat i Serbisë”, ishin thirrjet e tyre.

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi tha se në vazhdimësi do të ketë aktivitete të tilla.

Për pak, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të votuar të nominuarin për kryeministër Albin Kurtin dhe kabinetin e tij.

Deri te kjo ditë, kanë kaluar gati 4 muaj prej zgjedhjeve e me dhjetëra takime e negociata mes partnerëve të ri qeverisës, LVV e LDK. Këto dy parti, së bashku numërojnë 57 vota, derisa minimum i kërkuar është 61.

Mirëpo, palët ditëve të kaluara kanë negociuar edhe me deputetët e minoriteteve, ku kanë kërkuar besimin e tyre për të qeverisur me vendin.