Pasuria e zv/kryeministrit Haki Abazi

Zëvendëskryeministri i dytë i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion e ka bërë me 27 janar, në kohën kur ishte vetëm deputet.

Si pasuri të paluajtshme, Abazi ka deklaruar një truall, tri shtëpi si dhe dy banesa. Trualli dhe dy shtëpitë, Abazi ka thënë që janë në pronësi të prindit të tij, përderisa shtëpia e tretë është në emër të përbashkët dhe ende në kredi.

Ndërsa dy banesat Abazi i ka deklaruar se janë në pronësi të tij.

Në total të gjitha këto pasuri të paluajtshme të Abazit, kapin vlerën prej 805 mijë eurove.

Marka e preferuar e veturës për zëvendëskryeministrin Abazi po del të jetë ‘Audi’.

Abazi ka thënë që posedon 3 vetura të këtij tipi.

Vetura Audi A4 është në emër të bashkëshortes dhe ka vlerën 5 mijë euro, sipas tij këtë veturë e ka blerë nga paga dhe kursimet.

Vetura tjetër e tipit Audi A3 e cila është në pronësi të prindit, e që ka vlerën 6 mijë euro, Abazi ka deklaruar është blerë nga kursimet.

Edhe veturën e tij personale, zëvendëskryeministri Abazi e ka të tipit ‘Audi A6’  e cila sipas Abazit ka vlerë 20 mijë euro.

Në total të tri Audi-të e zëvendëskryeministrit Abazi kapin vlerën prej 31 mijë eurove.

Zëvendëskryeministri Abazi ka deklaruar se ka detyrime financiare ndaj bankave në vlerë prej 230 mijë euro, ku 210 mijë janë për blerjen e shtëpisë si dhe 20 mijë për bursë studimi.

Ai nuk ka deklaruar se para të gatshme të mbajtura në ndonjë nga institucionet financiare. Ndërsa si letra më vlerë, Abazi ka deklaruar dy të tilla, në vlerë prej 140 mijë euro në emër të përbashkët me bashkëshorten.

Haki Abazi në zgjedhjet e 6 tetorit, ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, por me formim e qeverisë ai ka kaluar si zëvendëskryeministër i dytë në qeverinë e formuar nga LVV dhe LDK.