Pastrohen hapësirat rreth liqenit në Mirushë

 

Komuna e Malishevës njofton se sot është pastruar ambienti përreth liqenit në Mirushë.

Ky pastrim  është organizuar nga Shoqata e Peshkatarëve sportiv “Sykuqi” në bashkëpunim me komunën e Malishevës, njësinë e kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Ekoregjioni”, njësinë e zjarrfikësve dhe nxënësit e SHFMU “Labinot Krasniqi” në Mirushë.

Pjesë e këtij aksioni ishte edhe kryetari i komunës së Malishevë, Ragip Begaj, bashkë me nënkryetarin Hajdin Berisha dhe disa drejtor të drejtorive përkatëse komunale, inspektorët komunal, si dhe kryetari Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, Bashkim Krasniqi.

Kryetari Ragip Begaj, përveç që ju ka dhënë përkrahje vullnetarëve të aksionit të pastrimit, ai ka falënderuar nxënësit e shkollës Mirushë.

Edhe kryetari i shoqatës së peshkatarëve, Avdullah Paçarizi, kishte falënderuar pjesëmarrësit.

“I falënderoj të gjithë për pjesëmarrje në  këtë aksion dhe në të njëjtën kohë, ju bëj thirrje të gjithë atyre që e vizitojnë liqenin, ta ruajnë ambientin”, ka thënë kryetari shoqatës së peshkatarëve “Sykuqi”, Avdullah Paçarizi.

Ky ambient përreth liqenit në Mirushë, ndonëse jo shumë i ndotur, në vazhdimësi mbikëqyret nga Shoqata e Peshkatarëve “Sykuqi” në Malishevë, të cilët krahas aktiviteteve të përditshme, organizojnë edhe aksione të pastrimit të ambientit.