Pas sulmit ndaj policëve në veri, EULEX-i do t'i shtojë patrullimet

Njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Zubin Potok është sulmuar sot me armë zjarri.

Derisa ata kanë qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit, policia kanë thënë se drejt tyre është shtënë me përafërsisht 10 plumba.

Lidhur me këtë sulm, shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark ka reaguar në Twitter.

Ai këto sulme i ka cilësuar si vepra kriminale dhe ka thënë se duhet të ndalen menjëherë.

Madje, tutje Wigemark ka shtuar e EULEX do e shtojë patrullimin në këtë zonë të Kosovës.

“Të shtënat e sotme në liqenin e Gazivodës/Ujmanit janë edhe një sulm me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës. Askush nuk u lëndua, por këto sulme jo vetëm që janë të rrezikshme, janë vepra kriminale dhe duhet të ndalen menjëherë. @EULEXKosovo do të shtojë patrullimet e saj në zonë”, thuhet në reagimin e Wigemark.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës të lëshuar gjatë ditës së sotme është thënë se të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë.

“Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare. Policia po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe luftimin e kriminalitetit e me theks të veçantë të kontrabandës në atë zonë”, përfundon njoftimi i policisë.