AAK: Reagimi i Kosovës ndaj Rezolutës të Parlamentit Europian, fëmijëror dhe jofalënderues

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kritikuar institucionet e Kosovës për reagimin lidhur ndaj miratimit të Rezolutës së Parlamentit Europian përmes të cilës është dënuar sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.

“Reagimi i Kosovës ndaj një rezolute si kjo ka qenë fëmijëror, siç shihet pa eksperiencë dhe jofalënderues”- ka deklaruar shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ai ka thënë se komunikimi politik i institucioneve të Kosovës është reduktuar në rrjete sociale.

“Është për t`u habitur që një rezolutë si kjo me një gjuhë të ashpër ndaj Serbisë të mos ketë deklarim të Qeverisë e MPJD-së dhe Kuvendit. Është për keqardhje dhe vaj halli ku ka ra Kosova që së paku nuk marrin kohë me lexu një rezolutë dhe me reagu mbi të në formë shtetërore dhe institucionale. Komunikimi politik i institucioneve shtetërore të Kosovës është reduktu në Twitter dhe jo adresim përmbajtjesor”- tha ai.

Ndërsa, ka njoftuar se AAK do të propozoj miratimin e një deklaratë publike në Kuvendin e Kosovës përmes të cilës mbështetet Rezoluta e PE-së.

“AAK-ja kërkon nga Kuvendi i Kosovës që të shprehë vlerësimin dhe kënaqësinë për rolin mbështetës që PE-ja po e bënë me këtë rezolutë dhe i ka dhënë mbështetje të fuqishme Kosovës”- tha Tahiri.

Tahiri në konferencë për media ka folur edhe për përmbajtjen e Rezolutës.

“Në qoftë se e marrim pikën e parë aty në gjuhë të ashpër dënohet sulmi ndërsa si PE i thërret vendeve anëtare të dënojnë sulmin në Banjskë. Pika e 3-të e bën përgjegjës Serbinë dhe ushtrinë që thotë se duhet të kenë kujdes në pengimin e kontrabandimit të armëve. Pika 4 e thërret Komisionin dhe Këshillin të merr masa ndaj Serbisë. Pika e 17-të e atakon në mënyrë të drejtpërdrejt Serbinë për të ndalur politiken për mosnjohje të Kosovës”- ka thënë Tahiri.

Parlamenti Europian përmes një seance, dje miratoi Rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Sulmi la të vdekur policin Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy oficerëve të tjerë.

Rezoluta përfshin 28 pika me kontribut nga grupe politike të ndryshme brenda Parlamentit Europian.

Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.

Kjo rezulotë është mirëpritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ndër masat e tjera, ajo [rezulota] bën thirrje për rritjen e sigurisë për Kosovën dhe i kërkon Serbisë të shmangë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, të ndalojë çdo mbështetje për formacionet terroriste dhe të tërheqë të gjitha bazat e saj operative përpara ushtarake përgjatë kufirit” – tha Kurti në rrjetin social X.

Kurti mirëpret rezolutën e Parlamentit Europian që dënon sulmin terrorist ndaj Policisë në Banjskë