Alicia Kearns, Foto: Twitter

Shtyhet takimi i Konjufcës me deputeten britanike, Alicia Kearns

Takimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca me deputeten britanike Alicia Kearns është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Takimi ishte paralajmëruar për sot në ora 13:00.

Kështu ka njoftuar Kuvendi i Kosovës pa dhënë detaje mbi arsyet se pse i njëjti është shtyrë.

“Ju njoftojmë se takimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, me deputeten britanike Alicia Kearns, i paralajmëruar për sot në orën 13:00, shtyhet për kohë të pacaktuar”- thuhet në njoftimin  e Kuvendit.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Kuvendi i Kosovës për arsyet e shtyrjes së këtij takimi dhe është në pritje të përgjigjes.

Lidhur me këtë takim dhe vizitën në Kosovë, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresën elektronike te deputetes britanike.

Kearns është edhe kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe.

Ajo në vazhdimësi ka bërë reagime për zhvillimet në Kosovë, dhe zhvillimet pas sulmit në Banjskë.

Kohë më parë kishte paralajmëruar se në veri po futet armatim ilegal nga ana e Serbisë.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur kishte leje– ndodhi e papritura– një ambulancë veçse kishte shkuar në kishë dhe i kishte nxjerrë jashtë përsëri të gjitha armët”- ka thënë Kearns në korrik.

Deputetja britanike: Në veri të Kosovës u sollën armë nga Serbia me autoambulanca