Rama nuk përjashton mundësinë e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka përjashtuar mundësinë e një takimi të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e Procesit të Berlinit, që pritet të mbahet më 16 tetor në Tiranë.

Rama ka thënë se nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës duan të flasin me dy shtetet, ndoshta takimi mund të ndodhë.

“Nuk kemi planifikuar diçka të tillë, nuk e parashikoj. Çdo gjë mund të ndodhë sepse në situata të tilla ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin, nëse ka një hapësirë ose nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës që do të jenë këtu, do të duan të flasin me ta si bashkautorë të planit franko-gjerman që është në tryezë, ndoshta mund të ndodhë” – ka thënë Rama për “Euronews Albania”.

Ai është pyetur për kritikat e Kosovës për idenë e Ramës që dialogu Kosovë-Serbi të ngrihet në nivel konference dhe për propozimin e tij për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Rruga është e shumë qartë: puna e palodhur drejt paqes, prirja drejt së ardhmes dhe të mos mbeturit peng i të shkuarës. Ne nuk i japim leksione miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj si ata duhet ta shohin botën, por kemi një bashkëpunim konstruktiv me ta dhe i qëndrojmë gjithnjë pranë. Kështu ja kemi dalë deri më sot. Çfarë ka këtu për t’u çuditur? Më e rëndësishmja, Serbia e ka humbur luftën. Kosova e ka fituar luftën. Historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen, ndryshe nga ai që e ka fituar luftën” – ka thënë ai.

Për Ramën, Kosova duhet të këmbëngulte për zbatimin e planit franko-gjerman, për të arritur atë që synon: njohjen përfundimtare.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk ka asgjë të keqe nëse Serbia do të mbështeste financiarisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në punimet e Samiti të Belinit, i cili pritet të mbahet më 16 tetor në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Francës, Emmanuel Macron; kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Konfirmohet pjesëmarrja e Kurtit në Samitin e Berlinit në Tiranë