Pas Samitit për Ukrainën, Tirana nikoqire e Samitit rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës

Më 29.02.2024 kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, do të jetë nikoqire e Samitit rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Sipas një njoftimi për media nga Kryeministria e Shqipërisë, ky Samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen europiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

“Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende”- thuhet në kumtesë.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla kryesore: Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Europian; Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal; Përshpejtimi i reformave themelore; Rritja e ndihmës financiare.

Në Tiranë, më 28.02.2024, janë zhvilluar punimet e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” me pjesëmarrjen e liderëve nga Europa  Juglindore dhe Ballkani Perëndimor.

Organizatorë të këtij Samiti ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në këtë takim liderët kanë diskutuar rreth mundësisë për t’i ofruar mbështetje Ukrainës dhe për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe Europës.