Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas ankesës së BIRN, komisioneres i ndalohet 5 vjet pjesëmarrja në zgjedhje dhe Vetëvendosja gjobitet me 1,000 euro

Pas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova, PZAP ka gjobitur me 1 mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje dhe komisioneren e kësaj partie në Gjilan, Xhezide Selimit, të cilës iu është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje si kandidate apo komisionere, për 5 vjet.

Kjo pasi që BIRN ka ushtruar ankesë, në të cilën pretendohet se komisionerja Xhezide Selimi nga Vetëvendosje, ka bërë postimin dhe shpërndarjen e materialeve zjgedhore në rrjetin social në Facebook, ku ka postuar një fotografi duke votuar dhe duke i ftuar qytetarët që të dalin dhe të votojnë numrin 144.

Si provë është paraqitur fotografi të printuar në cilësinë e provave materiale.

PZAP-ja e ka cilësuar si të bazuar ankesën dhe rrjedhimisht e ka pranuar.

“Paneli gjeti se të njëjtat janë të bazuara, për faktin se në llogarinë e Facebook-ut, të komisioneres së Lëvizjes Vetëvendosje Xhezide Selimi, në ditën e votimit kanë hasur fotografi të postuar me të cilën bënë thirrje që të votohet subjekti i caktuar, ku me këtë kanë bërë thyerjen e heshtjes zgjedhore”, thuhet në vendim.

Ndërsa në përgjigjet e saj në ankesë, Lëvizja Vetëvendosje ka konsideruar se ankesat janë të pabazuar, por që PZAP-ja nuk e ka miratuar përgjigjet e tyre.

Kundër këtij vendimi është e lejuar ankesa në afat prej 24 orëve nga dita e pranimit të vendimit, në Gjykatën Supreme.

KËTU mund ta gjeni vendimin.