(VIDEO) Pas 18 viteve, familjes nga Prishtina i kërkohet ta lëshojë banesën

Një familjes nga Prishtina i ka dalë problem me Agjencinë për Verifikimin e Pronave. Kjo për shkak se kjo Agjenci iu ka kërkuar lëshimin e banesës, 18 vjet pasi e kanë blerë atë.

Familja Kuleta, që jeton në një banesë në lagjen Ulpiana të kryeqytetit thonë se banesën e kishin blerë në vitin 2003, nga një qytetar i nacionalitetit serb.

Fillimisht, në këtë banesë ishin vendosur në vitin 1999, por që në vitin 2002 ‘Habitati’ që ka qenë Agjenci e Pronave në kuadër të UNMIK-ut, i kishte dëbuar nga aty.

Ndërsa në vitin 2003, të njëjtën banesë e kanë blerë nga pronari i atëhershëm.

“Pagesa i është bërë serbit, që ka qenë pronar në atë kohë. Pastaj jemi ardhë dhe jemi vendosur, pasi i është bërë pagesa e banesës. Pagesa është bërë në shumën prej 25 mijë eurove. Banesa ka kaluar në emër të babait, Isuf Kuleta, pronar i cili edhe UNMIK-u dhe Habitati e kanë njohur si pronar të banesës”, thotë Mensur Kuleta.

Tutje, Kuleta thotë se banesa është blerë në emër të babait të tij, Isuf Kuletës dhe deri më tash nuk kanë pasur asnjë problem, në lidhje me pronësinë.

Mirëpo, në fillim të muajit qershor të këtij viti, familja ka pranuar një letër nga Agjencioni për Verifikimin e Pronave. Në këtë letër atyre u kërkohet lirimi i banesës. Aty iu është prezentuar një dokument, në bazë të të cilit pronar i banesës është një person tjetër.

“Dokumenti prej Agjencionit na ka ardhur tash, në këtë muaj, nëse nuk gaboj me 5 qershor 2021, vendim i formës së prerë dhe thotë se duhet të lirohet banesa me datën 28 të këtij muaji”.

“Ne kemi qenë në herën e parë kur na ka ardhur dokumenti, jam takuar me një zyrtare të Agjencionit, më thanë në rregull, qe këtu një letër, plotëso dhe shkruaje se çka ke me paraqit si ankesë. E plotësova dhe i dhash dokumentet, që e vërtetojnë se banesën e kam blerë në mënyrë ligjore, në mënyrë të rregullt”, ka thënë Kuleta.

Kuleta pretendon se nga Agjencioni nuk iu është prezantuar kurrfarë dokumenti, mbi bazën e të cilit kërkohet lirimi i banesës.

Ndërsa ai thotë se i ka të gjitha dokumentet që e ka blerë banesën dhe se ajo banesë është në pronë të tyre.

“Nëse ata janë të gatshëm që të mi pranojnë mua dokumentet, edhe unë jam i gatshëm që t’i prezantoj, por ata nuk po dojnë asgjë me dëgju sa i përket dokumenteve që unë i kam”.

“Unë i kam krejt, edhe për gjyqit që është verifiku, kontratën, e kam dokumentin që është dhënë prej Habidatit, çelësi i banesës që dorëzohet, pronar në emër të serbit, edhe i dorëzohet çelësi Isuf Kuletës”.

Ndërsa në një përgjigje me shkrim Agjencia për Krahasim dhe Verifikim, ka thënë se prona në fjalë i takon një personi tjetër, që sipas Agjencisë, ka qenë pronar dhe banesa i është marrë në mënyrë diskrminuese pas periudhës mars 1989, por nuk tregon se çfarë nënkuptohet me ‘mënyrë diskriminuese’.

“Kërkesat e kategorisë A nga personat fizik, pronësia, posedimi apo të drejtat banesore të të cilëve ndaj pronave banesore të patundshme, ishin revokuar pas marsit 1989 në bazë të legjislacionit që ishte diskriminues për nga zbatimi apo qëllimi”.

Sipas përgjigjes së Agjencisë, marrëveshja e shitblerjes ndërmjet Isuf Kuletës dhe pronarit të mëhershëm, nuk është e vlefshme. Ndërsa për familjen Kuleta, thotë se kanë të drejtë për kompensim.

“Agjencia dëshiron të ju njofton, se në bazuar në Udhëzimin Administrativ përkatës, palët e treta kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për kompenzim, por paraprakisht duhet të sjellin dëshmi se kanë hyrë në transakcion me palën tjetër”.

Në përgjigjen me shkrim të Agjencisë, nuk mohohet se familja Kuleta e ka blerë pronën në fjalë, por që sipas tyre, pronari që iu ka shitur banesën, nuk ka qenë i ligjshëm.