19 vite pasi e blenë atë, familja nga Prishtina dëbohet nga banesa - VIDEO
Rreth 19 vite pasi e kanë blerë nga një qytetar i nacionalitetit serb, një familje nga Prishtina sot është dëbuar nga banesa, me vendimin e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP).
Familja Kuleta që deri më sot ka jetuar në një banesë në Lagjen ‘Ulpiana’, në vitin 2002 e kishte blerë banesën nga qytetari serb, me kërkesën e ‘Habitat’-it që kanë qenë institucion i pronave, në kuadër të UNMIK-ut.
Në ndërkohë, në qershor të këtij viti, Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, i kishte dërguar një letër kësaj familjeje, që të lëshojë banesën, pasi që ishte paraqitur një person tjetër, duke pretenduar se është pronar.
Mensur Kuleta, babai i të cilit e kishte blerë banesën në vitin 2002, thotë se fillimisht në atë vit, Habitat-i i kishte dhënë afat prej 1 muaji që të blejnë banesën, ose ta lirojnë atë.
“Derisa u kryn procedurat për lidhjen e kontratës në mes të babës tim Isuf Kuletës dhe serbit, kaloj koha e paraparë dhe ata erdhën e ekzekutuan vendimin, na qitën prej banesës, qysh na e kanë qit edhe tash”, thotë Kuleta.
Por më pas, banesa është blerë nga Isuf Kuleta (tashmë i ndjerë) dhe sipas djalit të tij, Mensurit, edhe Gjykata ia kishte njohur pronësinë për atë banesë.
“Në vitin 2019, Agjencia e ka detyru këta me e ble banesën për me e njohur pronësinë, këtë tash që e kanë bo pronar e kanë detyru me e pagu banesën në 2019, pa dijeninë tonë. Ne nuk kemi qenë në dijeni, deri në vendimin që na kanë pru për me e liru banesën”.
Tutje, familja Kuleta ka kërkuar pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë që për banesën në fjalë të vendoset një masë e sigurisë, deri të vendoset më mënyrë meritore se kujt i takon banesa.
Por që Gjykata e ka refuzuar një kërkesë të tillë.
“Dy seanca janë mbajtur derisa përfundoj shkalla e parë, kështu që ata po thojnë se ju nuk keni paraqitur fakte të mjaftueshme, mbi bazën e të cilëve me iu njoftë të drejtën e pronës. Unë nuk e di çka duhet me ia paraqit Gjykatës më shumë, ku ne e kemi vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të vitit 2002, që është lidhur kontrata. Qysh ka mundësi me ta njoftë ty, me ta dhënë, me ta legjimitu kontratën, një gjykatë pa qenë e rregullt, nuk mundet me ta vërtetu. Ajo është vërtetuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku e njëjta gjykatë sot, tash në këtë vit, mbajmë seancë edhe thotë se ju nuk keni paraqitur fakte të mjaftueshme, a e njëjta gjykatë neve na e ka dhënë të drejtën, e ka vërtetu atë kontratë, mbi bazën e të cilës është blerë banesa”.
Mensur Kuleta thotë se Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës në vitin 2019 e ka obliguar personin tjetër që ta blejë banesën dhe rrjedhimisht, sipas tij, e njëjta banesë është shitur dy herë te dy pronarë të ndryshëm.
“Pronar jemi ne dhe pronar është ai personi tjetër që këta e kanë shti në vitin 2019 me e pagu banesën, kjo është absurde, kjo vetëm në Kosovë ndodhë. Këtë vendim që e kanë marrë këta po na dërgojnë drejt konfliktit me atë person”.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, por deri në momentin e publikimit, Agjencia nuk ka kthyer përgjigje.
Në qershor të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar për këtë problem të familjes Kuleta. Në atë kohë, Agjencia kishte thënë se marrëveshja e shitblerjes ndërmjet Isuf Kuletës dhe pronarit të mëhershëm, nuk është e vlefshme, ndërsa për familjen Kuleta kishin thënë se kanë të drejtë për kompensim, si palë të treta.
(VIDEO) Pas 18 viteve, familjes nga Prishtina i kërkohet ta lëshojë banesën