Vjosa Osmani për rastin e “Ftyrës”: Duhet të shkarkohen ata që nuk i bëjnë nder institucioneve
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se ndaj anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike dhe përfaqësuesëve të agjencive të pavarura të cilët nuk kanë plotësuar kriteret për emërim, duhet të iniciohen procedura për shkarkim nga këto pozita.
Këtë deklaratë, Osmani e dha kur u pyet nga KALLXO.com nëse do të iniciohet në Kuvendin e Kosovës procedurë për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Naser Shalës, i njohur me nofkën “Ftyra”.
“Unë mendoj që në secilin bord, në secilën agjenci ku anëtarët e zgjedhur, lëre që nuk kanë plotësuar kriteret ligjore por përkundrazi nuk i bëjnë nder institucioneve të tilla, duhet të iniciohen procedurat për shkarkimin e tyre, por në këtë rast kjo nuk varet vetëm nga vota ime si kryetare e Kuvendit. Duhet ta kemi një shumicë në parlament dhe natyrisht që në momentin që ka pajtim të shumicës së deputetëve për të iniciuar një procedurë të tillë do ta ketë përkrahjen time të plotë”, u përgjigj Osmani.
Ish-ushtari i ish-zv.kryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, Naser Shala vitin e kaluar ishte zgjedhur drejtor i kësaj agjencie, përkundër faktit se kompania britanike BDO kishte vlerësuar se ai nuk i plotësonte kushtet dhe rrjedhimisht nuk ishte i emërueshëm për këtë pozitë.
Emërimi i Naser Shalës në krye të këtij agjensioni, kishte detyruar fillimisht Ambasadën e Britanisë së Madhe në Kosovë të largohej nga bordi i agjencisë ku më pas nga i njëjti u larguan edhe përfaqësuesit e SHBA-së.
Ndërkaq, Osmani në cilësinë e nënkryetares së LDK-së, kur u pyet nëse partia e saj do të inicojë shkarkimin e Shalës, tha se e kanë në program qeverisës që për çdo emërim të kundërligjshëm të bëhen shkarkime.
“Sa i përket bashkëpunimit këtu me partnerët tanë, ne jemi në kontakt me ambasadën Britanike që të kemi një rol edhe më të sforcuar të tyre në emërimet e anëtarëve në të ardhmen dhe do të kërkoj që patjetër mendimet e tyre profesionale të merren parasysh në proceset që do të vijnë tash e tutje sepse siç e përmenda ka një numër të anëtarëve të bordeve për të cilët duhet të bëhet shpallja publike dhe pastaj të bëhen emërimet”, u zotua ajo.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtit, ditët e fundit ka shkarkuar anëtarë të disa bordeve të ndërmarrjeve publike, për shkak të performancës së dobët të institucioneve dhe politizimit në udhëheqje.
Zgjedhja e Naser Shalës, i njohur edhe me nofkën “Ftyra” në krye Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës ishte në kundërshtim me memorandumin që ish- kryeministri, Ramush Haradinaj dhe ish-kryekuvendari, Kadri Veseli kishin nënshkruar me Ambasadën britanike në Prishtinë.
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), është themeluar me miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 9 qershor 2016.
AKKVP është agjenci e pavarur e cila ka për mandat të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KVVP) të zgjidh dallimet dhe mos pajtueshmëritë në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të para qershorit të vitit 1999, të cilat janë marrë nga Kosova nga autoritetet serbe dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare.
‘Ftyra’ e Qeverisë: Mllefi dhe tërheqja e partnerëve ndërkombëtarë pas emërimeve politike