Parashikimi i motit për ditët e ardhshme: Shi, borë e mjegull

Besim Aliu, parashikues i motit në Institutin Meteorologjik të Kosovës, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se gjatë javës së ardhshme në Kosovë pritet të jetë një mot i butë, i cili nga dita e martë do të shoqërohet me fluska bore.

“Dita e hënë paraqitet me mot relativisht të ngrohtë, pas mëngjesit me mjegull gjatë ditës pritet të ketë intervale me diell dhe rritje të dukshme të temperaturave. Ndërsa të martën do të ketë mot kryesisht të vranët dhe me reshje shiu, kurse gjatë ditës pritet që të ketë edhe borë, në vise malore vetëm borë, kurse në këto të ulëta shi i përzier me borë”, ka thënë  Aliu.

Aliu ka shtuar se moti i cili do të mbizotërojë gjatë javës së ardhshme nuk do të jetë i favorshëm për personat që kanë sëmundje kronike.

“Të mërkurën dhe të enjten nuk parashihet të ketë ndonjë reshje. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2 dhe -2 ndërsa maksimale gjatë ditës parashihet të jenë ndërmjet 3 deri në 10 gradë celsius, do të fryjë erë nga jugperëndimi dhe verilindja. Kushtet nuk do të jenë të favorshme për shtresën e popullatës që kanë probleme me frymëmarrje dhe sëmundje të tjera kronike, dhe cilësia e ajrit do të jetë relativisht e shëndetshme”, tha ai.

Ndërsa në përgjithësi moti në Kosovë sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës do të jetë i ndryshueshëm.

“Kjo situatë meteorologjike është si pasojë e drejtpërdrejtë e masave të ajrit me origjinë nga lindja, të cilat nuk do të jenë të qëndrueshme. Këtyre masave të ajrit do t’u shtohen edhe masa të tjera të cilat vinë nga ana jugperëndimore e vendit”, ka thënë tutje ai.

Aliu ka sqaruar se mjegulla e shfaqur ditëve të fundit është si pasojë e temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vend.

“Mjegull do të ketë edhe nesër sepse, pasnesër parashihet që të kemi reshje të shiut të cilat gjatë natës do të shoqërohen edhe me fluska bore, kjo mjegull që është shfaqur tani është është rezultat i temperaturave të larta dhe rrezeve të diellit që kanë qenë gjatë ditës. Këto janë procese fizike të cilat ndodhin në këto periudha për shkak të lagështisë së madhe të ajrit dhe për shkak të radiacionit”, tha tutje ai.

Meteorologu Aliu ka këshilluar që personat që kanë probleme me frymëmarrje të mos dalin jashtë gjatë orëve të mbrëmjes për shkak të ajrit të dendur dhe të ndotur.

Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka tërhequr vërejtjen se ndotja e ajrit po e kërcënon shëndetin e popullatës.

Sipas Institutit, në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole.