Foto: Policia e Kosovës

Parandalohen gara të shpejtësisë në Prizren, gjobiten pesë vozitës

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar disa gara të shpejtësisë që ishin planifikuar të mbahen në hyrje të autostradës “Ibrahim Rugova” në Prizren-veri.

Në njoftim thuhet se policia ka hasur në pesë vetura të cilat ishin duke u përgatitur për gara të shpejtësisë.

Tutje thuhet se ndaj ngasësve janë shqiptuar gjoba për kundërvajtje.

“Ngasësit së bashku me vetura janë shoqëruar deri në stacionin policor të trafikut dhe pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj ngasësve janë shqiptuar gjoba për kundërvajtje dhe më pas janë liruar”- thuhet në njoftim.

Rasti ka ndodhur më 02.03.2024.

Në komunikatën e Policisë thuhet se organizimi i garave të shpejtësisë është një aktivitetet i rrezikshëm dhe i jashtëligjshëm.

Policia e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do ti toleroj dhe do të veproj kundër organizatorëve dhe pjesëmarrësve sa here që të ka informacion për organizimi të tillë.

Më 16.12.2023, në një garë automobilistike tre persona kanë mbetur të vdekur, si pasojë e një aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Dy të dyshuarit për këtë aksident janë Irfan Hoti dhe Arlind Syla, ndaj të cilëve është konfirmuar nga Gjykata e Prizrenit se është vazhduar masa e paraburgimit deri më 16.03.2024 dhe  17.03.2024 me kërkesë të prokurorisë.

Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit janë marrë vesh dhe kanë organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.

Ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.

Për pasojë ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D. dhe L.S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.