Prizreni

Paraburgim të dyshuarit për sulmin ndaj vullnetarëve të peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Gjykata e prizrenit ia ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit për sulmin ndaj vullnetarëve. Ditën e enjte të datës 31 tetor, punën e vullnetarëve të cilët po mbledhin nënshkrimet për peticionin kundër Hidrocentraleve e ndërpreu një person i cili po dyshohet se i sulmoi me shkop të bejsbollit dhe me thikë.

Prizren, sulmohen vullnetarët e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve

I dyshuari i vetëm për këtë rast është personi me iniciale V. B. nga Prizreni, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata e Prizrenit, nën dyshimin për 2 vepra penale, kanosje  dhe asgjësim apo dëmtimi pasurisë.

Ngjarja ka ndodhur në sheshin Shatërvan, rreth orës 13:10 minuta, derisa të dëmtuarit kanë qenë të vendosur në vendin e lartcekur me një tendë duke mbledhur nënshkrime për një peticion kundër Hidrocentraleve në lumenj, i pandehuri me dashje i ka sulmuar të dëmtuarit.

I dyshuari V. B. i ka kanosur të dëmtuarit me fjalët “ikni prej këtu se këtu është vendi ku parkohet treni” si dhe ”ka me ju vra”. Poashtu me këtë rast ia ka dëmtuar objektin montazh me një shkop bejsbollit dhe thikë, më pas ju drejtohet të dëmtuarve për t`i goditur, por ndalet nga disa kalimtarë të rastit dhe nuk arrin që t`i godas të njëjtit.

Për sulmin ka reaguar edhe organizata ‘EC MA NDRYSHE’,  e cila kishte njoftuar për ngjarjen e ndodhur, duke thënë se vullnetarët janë kërcënuar me thikë.

“Sot vullnetarët e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve janë sulmuar dhe kërcënuar me armë të ftohta në qytetin e Prizrenit. Personi i cili tashmë është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës ka demoluar shtandin e peticionit me shkop bejsbolli dhe ka kërcënuar dy vullnetarët me tone të ashpra duke fotografuar fytyrat e tyre, dhe duke vazhduar pastaj kërcënimin me anë të thikës”, thuhej në reagimin e organizatës.