Prizren, sulmohen vullnetarët e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Në sheshin Shatërvan në Prizren, sot janë sulmuar vullnetaret të cilat po mbledhin nënshkrimet për peticionin kundër hidrocentraleve.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Vesel Gashi.

Gashi ka thënë se personi i dyshuar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“I dyshuari është arrestuar nga Policia, e me urdhër të Prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.  Dyshohet se i njëjti ka sulmuar me shkop të bejsbollit dhe një thikë personat që po kryenin aktivitetin në Shatërvan. Nuk raportohet për të lënduar”, ka thënë Gashi.

Për sulmin ka reaguar edhe organizata EC MA NDRYSHE, duke thënë se vullnetare janë kërcënuar me thikë.

“Sot vullnetaret e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve janë sulmuar dhe kërcënuar me armë të ftohta në qytetin e Prizrenit. Personi i cili tashmë është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës ka demoluar shtandin e peticionit me shkop bejsbolli dhe ka kërcënuar dy vullnetaret me tone të ashpra duke fotografuar fytyrat e tyre, dhe duke vazhduar pastaj kërcënimin me anë të thikës”, thuhet në reagimin e organizatës.