Foto: Kallxo.com

Para vendimit për krime lufte, fotografitë e viktimave të masakrës vendosen në rrethojat e gjykatës

Pak para se gjykata e Prizrenit ta japë verdiktin e vet në gjykimin për krime lufte ndaj Darko Tasiq, në rrethojat e gjykatës janë varur fotografi të viktimave nga masakrat e marsit të vitit 1999.

Kur kanë kaluar dy vjet që kur ka filluar gjykimi për krime lufte në Krushë të Vogël, sot në ora 13:30 pritet të shpallet aktgjykimi.

Seanca e fundit e 17 qershorit ishte përcjellë me protestë para Gjykatës së Prizrenit ku ishin mbledhur  banorët e Krushës së Vogël.

Edhe sot banorët e Krushës që nga orët e mëngjesit ishin para Gjykatës së Prizrenit, për një protestë në një formë tjetër.

Në rrethojat e Gjykatës së Prizrenit janë vendosur fotografi të viktimave nga masakrat që ndodhën pas datës 25 mars të vitit 1999 në fshatin Krushë e Vogël.

Darko Tasiq, i cili deri në vitin 1999 kishte jetuar në Krushë të Vogël bashkë me familjen e tij, tash po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare.

Foto: Kallxo.com

Tasiq akuzohej në dy pika të aktakuzës. Sipas pikës një të aktakuzës, Darko Tasiq në mes të datave 15-26 Mars të vitit 1999, në Krushë të Vogël në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë të Republikës Federative të Jugosllavisë apo forcave paraushtarake serbe, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Ai akuzohet edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.

Foto: Kallxo.com

Ndërsa sipas pikës dy të aktakuzës Darko Tasiq po ngarkohet edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në Lumin Drin.

Kallxo.com ka raportuar nga të gjitha seancat e zhvilluara në rastin Darko Tasiqit.

Kasum Hajdari, Bajram Zylfiu, Agron Limani, Kadri Muharremi, Xhafer Muharremi, Drita Batusha, Shaban Avdyli, Driton Limani, Gani Zylifu, Driton Hajdari, Mark Prekpalaj, Tom Prekpalaj, Milazim Duraku, Bedri Limani janë banorë të Kurshës të cilët kanë dëshmuar në këtë gjykim.

Gjithashtu në këtë gjykim ka dëshmuar edhe gazetari Britanik John  Sëeeney, dokumentari i të cilit është paraqitur si provë në këtë gjykim.

Në këtë gjykim kanë dëshmuar edhe dy hetues të Policisë së Kosovës nga sektori për krime të luftës.

Në mbrojtjen e tij para trupit gjykues, Darko Tasiq nuk ishte deklaruar duke e shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje, ndërsa gjatë gjithë gjykimit ka mohuar fajësinë për akuzat e prokurorisë duke u deklaruar i pafajshëm.