Sot shpallet vendimi për të akuzuarin për krime lufte në Prizren

Kur kanë kaluar dy vite që kur ka filluar gjykimi për krime lufte në Krushë të Vogël, sot në ora 13:30 pritet të shpallet aktgjykimi.

Seanca e fundit e datës 17 qershor ishte përcjellur me protestë para Gjykatës së Prizrenit ku ishin mbledhur  banorët e Krushës së Vogël.

Darko Tasiq, i cili deri në vitin 1999 kishte jetuar në Krushë të Vogël bashkë me familjen e tij, tash po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare.

Tasiq akuzohej në dy pika të aktakuzës. Sipas pikës një të aktakuzës, Darko Tasiq në mes të datave 15-26 Mars të vitit 1999, në Krushë të Vogël në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë të Republikës Federative të Jugosllavisë apo forcave paraushtarake serbe, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Ai akuzohet edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.

Ndërsa sipas pikës dy të aktakuzës Darko Tasiq po ngarkohet edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në Lumin Drin.

Në mbrojtjen e tij para trupit gjykues, Darko Tasiq nuk ishte deklaruar duke e shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje, ndërsa gjatë gjithë gjykimit ka mohuar fajësinë për akuzat e prokurorisë duke u deklaruar i pafajshëm.

Gjykimi për krime lufte në Krushë të Vogël, Darko Tasiq mbrohet në heshtje