Pamje - Projekti i urës i cili pritet të afrojë Velipojën me Ulqinin

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë rënë dakord për ngritjen e një ure mbi lumin Buna.

Ajo do jetë një pikë e afërt lidhjeje me Velipojën në Shqipëri dhe Ulqinin në Malin e Zi. Ura e gjatë 310 metra do të shkurtojë distancën me dy qendrat turisitike nga 67 që është sot në rreth 20 kilometra.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar sot projektin i cili do të financohet nga dy qeveritë.

“Me projektin e “Urës mbi Bunë”, një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë, për të lidhur vendet tona duke shkurtuar distancën mes Velipojës e Ulqinit nga 73km në 300m, si edhe duke i dhënë një shtysë të re lirisë së lëvizjes, turizmit dhe ekonomisë ndërkufitare, ju uroj një ditë të bukur” – ka shkruar kryeministri shqiptar në rrjetin social “Facebook”, duke bashkangjitur video të projektit.

Projekti i prezantuar nga kryeministri Edi Rama dhe Dritan Abazoviq, në Ohër vitin e kaluar, pritet të ndërtohet në gusht të vitit 2024.

Qeveria e Malit të zi ka ndarë në buxhetin e këtij viti 3.5 milionë euro për këtë projekt, ndërsa kosto e përgjithshme të saj mund të arrijë rreth 10 milionë euro dhe do të financohet me parimin 50 me 50 nga të dy qeveritë.