OVL-UÇK paralajmëron sërish protesta

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pret që Qeveria e Kosovës të plotësojë kërkesat e tyre, në të kundërtën veteranët do të protestojnë sërish.

OVL-UÇK ka paralajmëruar se do të protestojë në ditën që do të mbahet seanca për leximin e dytë për projektligjin për pagën minimale.

Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së ka thënë gjatë një konference për media se do t`u kthehen protestave nëse qeveria dërgon për miratim në lexim të dytë projektligjin për pagën minimale, pa plotësuar kërkesën e tyre.

Ai tha se gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti nuk është arritur ndonjë dakordim lidhur me kërkesat e veteranëve.

Klinaku tha se veteranët i kanë dhënë kohë qeverisë dhe Kuvendit për plotësimin e kërkesave të tyre, dhe të jenë pjesë e amandamentimit të këtij projektligji.

“Nëse deri në lexim të dytë nuk rregullohet ky problem, atëherë ne sot paralajmërojmë protestë në ditën që do të mbahet seanca për shqyrtim-lexim të dytë të ligjit për pagën minimale”, tha Klinaku.

Ai tha se veteranët presin propozimin e kryeministrit lidhur me kërkesat tyre. Klinaku pret që qeveria të zgjidhë çështjen e listave të veteranëve dhe me fryrjen e tyre duhet të merret organet e drejtësisë.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar javën e kaluar kundër miratimit të ligjit për pagën minimale, i cili lë jashtë këtë kategori.

Të premten veteranët u pritën në një takim nga kryeministri Kurti por nuk u artrit ndonjë rezultat.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se veteranëve do t`iu dërgojë një propozim me shkrim lidhur me këtë çështje.