Prokuroria tregon për cilën vepër penale po dyshohet Faton Klinaku

Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës është vepra penale për të cilën po dyshohet se e ka kryer ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku.

Lidhur me rastin, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se sot me urdhër të kësaj prokurorie, Policia e Kosovës, ka intervistuar Klinakun.

Lutfiu ka thënë se Klinaku pas intervistimit është lëshuar në procedurë të rregullt.

Vepra për të cilën po dyshohet ky i fundit dënohet në bazë të Kodit Penal të Kosovës.

Neni 121 i këtij kodi thotë se kushdo që me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës, pengon një apo më shumë nga personat e saktësuar në nenin 119 të këtij Kodi në ushtrimin e detyrave zyrtare apo i detyron të kryejnë apo të mos kryejnë ndonjë veprim nga fushëveprimi i detyrave të tyre, dënohet me burgim prej tre deri në 10 vjet.

Klinaku mbrëmë në një deklaratë të tijën tha “…Më parë e vras Albin Kurtin se sa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Në një prononcim për KALLXO.com, avokati i Klinakut, Ramë Dreshaj ka thënë se ndaj Klinakut është hapur rast i kërcënimit në Polici dhe se i njëjti është liruar më pas në procedurë të rregullt.

“Iu ka hap rast gjoja se kërcënim për vrasje, e tash aty lidhet edhe me një nen tjetër ku përmendet presidenti e kryeministri, por drejt me të thanë është interpretim i gabuar” – ka thënë Dreshaj.

“Nëse analizohet postimi i tij me kokë të ftohtë nuk ish deshtë me u nxjerrë prej kontekstit a ka kërcnu me vra Albin Kurtin, po është dashtë analiza të bëhet e mirëfillt e krejt tekstit, e pastaj del që ky nuk e ka kërcënu Albin Kurtin” – ka vazhduar tutje ai.

Gjatë deklarimit të Klinakut në Polici, avokati tha se klienti i tij ka thënë se “më mirë është me u marrë Prokuroria e pushteti me deklarata e Mimoza Kusarit që po bashkëpunon me Radojçiqin”.

Po ashtu, Dreshaj tha se Klinaku ka deklaruar se do e zgjidhte Kosovën para secilit politikan, edhe para Hashim Thaçit, Ramush Haradinaj e të tjerëve.

Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, këtë deklaratë të Klinakut e llogarit si kërcënim të hapur ndaj kryeministrit Kurti.

“Është kërcënim i hapur për kryeministrin e Kosovës dhe si e tillë është e papranueshme” – u shpreh Konjufca.

KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim nga ana e Zyrës së Kryeministrit e edhe nga partia të cilën e udhëheqë vet Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo asnjëra nuk kanë kthyer përgjigje.

Klinaku intervistohet nga Policia për deklaratën e tij për Kurtin, avokati tregon çka deklaroi