Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Çka deklaroi i arrestuari për kërcënimin ndaj kryeministrit Kurti

“Unë konsideroj që çdo njeri, i cili bën të këqija siç bën Albin Kurti, edhe po të isha unë në vendin e tij duhet të vritet patjetër sepse ai është tradhtar ndaj atdheut prandaj…” – është deklarata që dha i arrestuari i sotëm për kërcënim ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Arrestimi i tij, i cili u prezantua me inicialet N. S., u bë me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale – Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë Speciale, i dyshuari kanosjen ndaj kryeministrit e ka bërë pas një postimi në rrjetin social Facebook me përmbajtje inkriminuese, si dhe gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “DEBAT PLUS’’, të datës 30 gusht 2023.

“Veç një telefon ma bën Faton aty më ki, për çka të ka nevojë mezi s’po pres me ja nisë!” – është deklarata që e ka bërë ai në Facebook, duke i dal në mbrojtje ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinakut, i cili të mërkurën gjatë ditës kishte shkruar në mes tjerash se ‘më përpara e vret kryeministrin Kurti, se sa e lëshon Kosovën’.

Në emisionin “Debat Plus”, N. S. u prezantua si Nuredin Gashi. Ai aty tha se nuk e marr tragjike këtë deklaratë të Faton Klinakut, pasi sipas tij atdheu është mbi të gjitha dhe është më me vlerë se çdo individ dhe se çdo parti.

“Çdo njeri thash, nuk e potencova me emër, i cili tradhton atdheun e vet, qoftë edhe unë nëse jam duhet të vritet. Unë konsideroj që partia e Albin Kurtit, Albin Kurti me të gjithë stafin e vet janë tradhtarë të këtij vendi” – shtoi ai.

I arrestuari tutje shtoi se nuk ka ndonjë pozicion brenda OVL-UÇK-së, mirëpo shtoi se do të kishte shumë dëshirë të ishte në vendin e Faton Klinakut.

“Sepse unë do të kisha vepru qysh më herët kundër këtyre njerëzve” – shtoi ai.

Edhe Klinaku dje është intervistuar nga hetuesit policor, ai më pas ishte liruar në procedurë të rregullt.

Deklaratën e N. S. mund ta ndiqni në këtë link, nga minuta e 30.

Kërcënoi me vrasje kryeministrin Kurti, arrestohet i dyshuari