Osmani - Zyrtarit të BE-së, Makovec: Sulmi terrorist ishte i përgatitur dhe i orkestruar nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim zëvendësdrejtorin menaxhues për Evropë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), Marko Makovec.

Presidenca ka bërë të ditur se Osmani e ka njoftuar zyrtarin e BE-së lidhur me sulmin terrorist të kryer më 24 shtator dhe sipas njoftimit ky sulm ishte i përgatitur dhe i orkestruar nga Serbia.

“Pas aktit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, Presidentja Osmani vuri theksin tek rëndësia që Serbia të mbahet përgjegjëse përmes masave konkrete nga BE-ja. Ajo nënvizoi se parandalimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të të gjithë rajonit tonë është kyç”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, presidentja Osmani i ka thënë Makovec se Serbia e ka dorë në sulmin terrorist ndaj Kosovës.

“Presidentja theksoi se ky sulm ishte i përgatitur dhe i orkestruar nga Serbia, dhe i ekzekutuar nga grupe terroriste e paramilitare, gjë që e dëshmojnë dëshmitë e shumta të siguruara nga institucionet tona të sigurisë”-thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Gjithashtu, thuhet në njoftim, presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës që të punojë ngushtë me partnerët e saj për t’i tejkaluar sfidat e krijuara nga ky akt i agresionit, duke përmendur bashkëpunimin e vazhdueshëm të institucioneve tona me ato ndërkombëtare e sidomos ato të sigurisë, përfshirë EULEX-in.

Më 24 shtator, një grup serb i armatosur kreu sulm terrorist në drejtim të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjes me armë zjarri mes terroristëve dhe policisë, u vranë edhe tre sulmues.