Osmani takohet me ambasadorin francez, diskutojnë për zhvillimet e fundit në vend dhe dialogun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

Sipas një njoftimi për media, në takim kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Osmani citohet të ketë theksuar nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

“Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët rreth qëllimit të përbashkët për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Presidentja Osmani theksoi gatishmërinë për bashkëpunim të ngushte mes Kosovës dhe aleatëve të saj për ta arritur fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës” – thuhet në komunikatë.

Në komunikatë bëhet e ditur se Osmani ka vlerësuar raportet me Francën dhe ka konfirmuar partneritetin dhe bashkëpunimin në të ardhmen, i cili sipas presidentes, i shërben ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend e rajon.