Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Sot është ditë e rëndësishme që përcakton fatin e komunave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas votimit të saj në Prishtinë, ka thënë se sot është një ditë po aq e rëndësishme sa 17 tetori, për të përcaktuar fatin e komunave.

E dimë të gjithë që kontributi qytetar për të kontribuar në demokracinë e vendit tonë nuk ka përfunduar më 17 tetor, sot është një ditë po aq e rëndësishme e cila e përcakton fatin e komunave ku gjithsecili prej jush dhe prej nesh jeton, prandaj është shumë me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi qytetar, në mënyrë që nesër, pasnesër të kenë më shumë të drejta dhe kualitet më të madh të jetës në komunat ku ata jetojnë”, tha ajo.

Presidentja ka shtuar se shpreson që zgjedhjet e sotme të jenë pa incidente.

“Shpresoj vërtet që sikurse edhe në të kaluarën dhe sidomos zgjedhjet që u mbajtën më 17 tetor të kemi një pjesëmarrje aktive të qytetarëve që të kemi një proces pa asnjë incident dhe po ashtu që ky proces të konsiderohet si demokratik dhe i lirë ashtu siç ndodhi edhe para një muaji përafërsisht”, u shpreh Osmani.

Osmani i falënderoi mes tjerash edhe mediat për punën në ditën zgjedhore.

Sot mbahet rrethi i i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave të Kosovës.

Nga 38 komuna të Kosovës, 21 prej tyre kanë shkuar në balotazh pasi në zgjedhjet e datës 17 tetor kandidatët nuk kishin arritur të marrin mbi 50% të votave, që do u siguronte fitore pa rund të dytë.

Qendrat e votimit nëpër këto komuna janë hapur në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.