Osmani pret në takim ambasadorët e disa shteteve të BE-së, diskutojnë për liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë.

Në takim është diskutuar për zhvillimet pas takimit të djeshëm të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët në Kosovë, bëhet e ditur në një komunikatë për media.

Sipas njoftimit, presidentja ka falënderuar për mbështetjen e dhënë nga shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave të Kosovës.

“Në takimet me ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian, Presidentja Osmani, ka falënderuar për mbështetjen e dhënë nga shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave të Kosovës dhe ka rikujtuar se ditë më parë Komisioni Evropian ka konfirmuar në Raportin vjetor për Kosovën se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”- thuhet në njoftim.

Osmani në takim ka theksuar nevojën që vendimmarrja politike lidhur me liberalizimin e vizave brenda BE-së të përmbyllet brenda kryesimit çek  të BE-së duke ditur se nuk ka qëndrime kundërshtuese nga asnjë prej shteteve anëtare të BE-së për këtë temë.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu besimin që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese”- njofton presidenca.

Më tej, në komunikatë bëhet e ditur se Osmani ka potencuar se Kosova do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

 

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Të enjten për herë të parë grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian diskutoi për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga e cila u përmendën disa kërkesa të reja deri në heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

Presidenca çeke e Këshillit Evropian ka thënë se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Komisioni Evropian e ka prezantuar raportin e tij të përditësuar për këtë çështje, që rikonfirmon se Kosova vazhdon të plotësojë të gjitha kushtet për liberalizim”, thuhet në njoftim.

Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti.

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.