Osmani pas takimit me Escobarin: Bashkëpunimi me aleatët, bosht i parimeve tona

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pasi priti në takim përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, në një deklarim për media tha se vetëm në bashkëpunim me aleatet, me theks të veçantë me SHBA-të, Kosova mund të ecë përpara në integrime të metejshme dhe në zbatim të marrëveshjeve në dialogun me Serbinë.

Osmani bëri të ditur se me emisarin Escobar disktutuan për situatën e sigurisë, dialogun me Serbinë dhe zbatimin e Rregullores së Bankës Qëndrore të Kosovës për përdorim vetëm të valutës euro për pagesa.

“Përgjatë sfidave SHBA ka qëndruar përkrah Kosovës për çka do të jemi përherë mirënjohës. Bashkëpunimi me aleatët tanë, sidomos me SHBA-të duhet të jetë bosht i parimeve tona. Puna jonë e përbashkët me SHBA-në ka qenë dhe mbetet jetike, si në përpjekjet për sundim të ligjit, ashtu edhe për fuqizim të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, sidomos për integrime. Kjo është jetike, sidomos sot kur Kosova ka marr hapa për antarësim në Këshillin Europës”- u shpreh Osmani.

Presidentja tutje theksoi se Serbia duhet t’i ekstradojë në Kosovë grupin që kreu sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës më 24.09.2023.

“Me Escobar diskutuam edhe për sfidat e sigurisë në Kosovë dhe rajon, sidomos pas aktit të sulmit terrorist më 24 shtator 2023, ky grup duhet të mbahet përgjegjës, duhet të përballen me sigurinë në Kosovë. Serbia duhet t’i ekstradojë këta persona që cënuan stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Ne do zbatojmë standarde më ta larta për gjykim të drejtë”- u shpreh tutje Osmani.

Osmani theksoi se do vazhdojnë të punojnë më aleatët, sidomos më SHBA-në, që kufiri të jetë i sigurtë në mënyrë që të parandalohen sulme tjera të tilla.

Derisa, për procesin e dialogut theksoi se nevojitet qasje parimore dhe e barabartë nga ana e ndërmjetësuesit, BE-së, mënyrë që ky proces të ketë sukses.

“Për këtë është kruciale të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara në vitin 2023. Qasja selektive ndaj neneve të caktuara nuk do ndihmojë. Angazhimi i SHBA-së mbetet kyq për mbyllje të suksesshme të dialogut që do qonte drejt një njohjeje të ndërsjellë”- shtoi Osmani.

Kurse, lidhur me Rregulloren e Bankës Qëndrore për dinarin, Osmani potencoi se zbatimi efikas i saj bëhet në bashkëpunim dhe mbështetje të aleatëve.

“Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i rregullores është i mundshëm në bashkëpunim të plotë dhe mbështetje me aleatët tanë. Ata janë në favor në të një plani tranzicional. Kjo cështje do ecet përpara me një zgjidhje të përbashkët e në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës”- shtoi Osmani.