Osmani në takim me Cameron: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, hap i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin David Cameron.

Sipas një komunikate për media, në takim u diskutua për raportet e shkëlqyera Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, përkushtimin për thellim të bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe situatën e sigurisë në rajon e më gjerë.

“Presidentja Osmani falënderoi sekretarin Cameron për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen diplomatike në procesin e integrimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare”- thuhet në komunikatë.

Në kumtesë bëhet e ditur se, Osmani ka ritheksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.

Ajo po ashtu ka potencuar rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut.

“Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me ç’rast Presidentja Osmani e informoi sekretarin Cameron për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator. Presidentja falënderoi sekretarin Cameron për shtimin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e kufirit me Serbinë”- theksohet më tej në komunikatë.

Në takim, e para e vendit ka folur edhe për grupet terroriste, “të mbështetura nga Beogradi, të cilat vazhdojnë të krijojnë frikë dhe intimidim brenda komunitetit serb”.

Pavarësisht kësaj, sipas komunikatës, Osmani ka theksuar se Kosova është shembull në rajon sa i përket të drejtave të komunitetit joshumicë, ndërsa riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës për ta fuqizuar çdo qytetar, pa dallim.

Ministri Cameron është takur mëngjesin e sotëm me homologen e tij nga Kosova, ministren Donika Gërvalla.

Cameron ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është mbështetëse e madhe e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, teksa shtoi se Britania do të ndihmojë Kosovën në betejat për t`u njohur në forume ndërkombëtare.