Osmani në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia ka trajnuar, financuar, armatosur e strehuar grupin terrorist

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani edhe një herë ka theksuar se prapa sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit qëndron Serbia.

“Grupet paramilitare janë financuar, trajnuar, armatosur, strehuar nga një burim – Republika e Serbisë. Financimi i këtyre dy organizatave terroriste të quajtur Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore kanë ardhur nga institucionet e Serbisë”- tha ajo.

“Siç tregojnë hetimet, ka pasur trajnime të përhershme të këtyre grupeve në bazat ushtarake në Serbi, përfshirë në Rashkë. Ka video, prova, dhe institucionet e Serbisë e pranojnë trajnimin e këtyre organizatave. Armët që i kemi konfiskuar mund të përdoren më së paku nga 400 njerëz, shumë nga to janë armë ushtarake të cilat prodhohen në fabrikat shtetërore ushtarake të Serbisë”- shtoi ajo.

Para presidentes Osmani, fjalim mbajti edhe kryeministria serbe, Ana Bërnabiq, e cila mohoi përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist.

Madje, ajo tha se Serbia është e gatshme t’i ofrojë prova bashkësisë ndërkombëtare për të dëshmuar që Serbia nuk ka pasur gisht në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm terrorist.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mirëpo autoritetet në Kosovë kanë theksuar se prapa këtij sulmi janë institucionet e Serbisë.