Osmani e uron Xhaferin pas rizgjedhjes si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar homologun e saj, Talat Xhaferi për rizgjedhje në postin e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.

Në urimin e saj, Osmani ka thënë se ka besim të plotë se me mandatin e Xhaferit do të thellohet bashkëpunimi parlamentar mes dyja vendeve.

“Kam besimin e plotë se në këtë mandat tuajin do ta intensifikojmë bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve të të dy vendeve, duke shkëmbyer praktikat dhe përvojat parlamentare, si dhe duke zhvilluar diplomacinë parlamentare”, ka thënë ajo.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 62 vota për, ka rizgjedhur Talat Xhaferin për kryetar të institucionit ligjvënës, me propozim të partive të shumicës parlamentare, LSDM dhe BDI. Sipas tyre Xhaferi gjatë mandatit të deritashëm ka dëshmuar se me sukses mund ta drejtojë këtë institucion, andaj edhe i kanë dhënë mbështetjen e tyre.

Telegrami i plotë:

I nderuar z.Xhaferi,

në emër timin personal dhe të Kuvendit të Kosovës, pranoni urimet e përzemërta me rastin e rizgjedhjes në detyrën e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut!

Kam besimin e plotë se në këtë mandat tuajin do ta intensifikojmë bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve të të dy vendeve, duke shkëmbyer praktikat dhe përvojat parlamentare, si dhe duke zhvilluar diplomacinë parlamentare.

Rritja e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të jetë një fuqizim i demokracisë, hapje e perspektivës evropiane dhe forcim i marrëdhënieve ndëretnike, në funksion të një Maqedonie të Veriut stabile dhe me orientim evropian.

Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut tradicionalisht kultivojnë marrëdhënie miqësore në të gjitha sferat! Ndaj, në një kohë të afërme, pres një vizitë tuajën zyrtare në Republikën e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin bilateral si dhe për të hapur perspektiva të reja në interes të të dy shteteve fqinje.