Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani e Kurti, nderojnë ish presidentin Ibrahim Rugova

U.D presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e shoqëruar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti njëherësh kandidat për kryeministër, kanë vënë kurora lulesh mbi varrin e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Osmani, tha se sot nderojnë veprën e Ibrahim Rugovës, për kontributin e tij të dhënë në shtetndërtimin e Kosovës.

“E nderuam arkitektin e Republikës së Kosovës, presidentin historik dr. Ibrahim Rugova. Njeriun që sublimoi dhe unifikoi kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për liri, për pavarësi e sovranitet dhe njeriun i cili i hapi dyert e botës në mënyrë që zëri ynë, zëri i popullit të Kosovës të kumbojë e të dëgjohet kudo”, tha Osmani.

Albin Kurti, në këtë ceremoni kishte të mbështjellur rreth qafës shallin, një karakteristikë dhe simbolikë kjo e ish presidentit Rugova, ndërsa e rrallë të shihet ta bartë Kurti.

“Sot ne kujtojmë personalitetet politike, kombëtare e historike të cilët kontribuuan në faza e mënyra të ndryshme. Andaj vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe te presidenti i parë i Kosovës që njëherësh edhe ishte presidenti i parë në Kosovën e çliruar”, tha ai.

Kurti, ka përmendur edhe dëshmorët e martirët e Kosovës, duke thënë se për ta ende mungon drejtësia.

“Ata që nuk janë më në mesin tonë e falë të të cilëve e kemi lirinë, e të cilëve u mungon drejtësia për krimet të cilat janë kryer ndaj nesh”, tha Kurti.