Sulmet kibernetike, hapet qendra shtetërore për trajnime për siguri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci kanë përuruar qendrën shtetërore për trajnime mbi kibernetikën.

Hapja e kësaj qendre u bë në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë më 12.03.2024 dhe në të pritet të trajnohen zyrtarët e institucioneve të sigurisë mbi kibernetikën.

“Epoka digjitale ka sjell mundësi të papara për progres dhe zhvillim, por edhe sfida të mëdha. Për shkak të sulmeve kibernetike bota ballafaqohet me situata që kanë ndikim në ekonomitë e shteteve” – deklaroi kryeministri Kurti.

Viti i kaluar, sipas tij, ka qenë vit i progresit në politikat për sigurinë kibernetike.

“Në shkurt të vitit të kaluar kemi miratuar ligjin. Pastaj miratuam strategjinë kombëtare në tetor të vitit të kaluar, në të njëjtën ditë kur e miratuam edhe e-qeverisjen, gjë që nuk ishte e rastësishme” – tha tutje Kurti.

Tutje, ai tha se trajnimet do të mbahen nga trajner vendor por edhe të jashtëm. Kurti njoftoi po ashtu se ky projekt është mbështetur nga ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se qendra do të ofroj trajnime të rregullta për ngritjen profesionale në fushën e kibernetikës.

“Synimi ynë është që përmes kësaj qendre të trajnojmë institucionet e sigurisë. Qendra do të ofroj trajnime për të përmirësuar aftësitë profesionale. Kurikula përfshinë një gamë të gjerë temash. 14 kurse të trajnimit, 5 prej tyre me ushtrime praktike” – tha ai.